Botë

Kovid-19 në rajon dhe botë, rritet numri i të prekurve dhe i të vdekurve

26.11.2020 14:30

Mëngjesin e sotëm në Serbi janë regjistruar 47 të vdekur nga virusi korona...

Mëngjesin e sotëm në Serbi janë regjistruar 47 të vdekur nga virusi Korona. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se gjendja në spitale është katastrofale, pasi brenda ditës kontrollohen 10 mijë njerëz, ndërsa 1.000 shtrihen në spital, ku aktualisht trajtohen 6.597 pacientë. Numri i përgjithshëm i të vdekurve në Serbi deri më tani arrin në 1.315 persona. Që nga fillimi i pandemisë në Serbi janë regjistruar 140 mijë e 608 të infektuar. 
 
Greqia e ka vazhduar karantinën në nivel nacional deri më 7 dhjetor, pasi numri i të infektuarve vazhdon të rritet në tërë vendin, por më e prekur nga virusi është pjesa veriore ku janë mbushur kapacitetet spitalore, prandaj ka filluar transportimi i pacientëve për në spitalin e Athinës. Në trajtim intensiv aktualisht janë 597 pacientë, ndërsa në 24 orët e fundit vetëm në Selanik janë regjistruar 633 të infektuar. Deri më tani në Greqi janë regjistruar 100 mijë të infektuar, 1.902 prej të cilëve kanë vdekur. 
 
Në Kroaci informacionet e fundit flasin për 4.009 të infektuar dhe 51 të vdekur. Autoritetet kroate kanë sjellë masa shtrënguese që përfshijnë mbylljen e kafeneve dhe restoranteve, deri në Krishtlindje. 
Në Slloveni në 24 orët e fundit janë regjistruar 1.767 të infektuar dhe 46 të vdekur. Aktualisht në trajtim spitalorë janë 1302 pacient bëjnë të ditur autoritetet sllovene. 
 
Masa restriktive edhe në Bullgari ku për shkak të numrit të lartë të personave të infektuar janë mbyllur objektet hotelerike dhe janë ndaluar tubimet, derisa në Mal të zi, është shpallur orë policore.
 
Deri në fund të vitit Gjermania do të jetë e mbyllur pjesërisht për shkak të pandemisë. 
 
“Për fat të keq nuk mund të premtojmë se do t’i lehtësojmë masat për Krishtlindje dhe Vitin e Ri. Na presin muaj të vështirë dimëror. Kjo do të vazhdojë deri në mars, pastaj jam optimiste sepse më shumë njerëz atëherë do të mund të vaksinohen.”,- u shpreh kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel.
 
Merkel tha se ndoshta vaksinat mbërrijnë para Krishtlindjeve, por është vendosur që ato të jenë në dispozicion fillimisht të personelit mjekësor. Bashkimi Europian ka paralajmëruar se vaksinimet e para anti-Covid për qytetarët europianë do të nisin në fund të këtij viti. Ky lajm vjen pasi është nënshkruar kontrata e gjashtë për blerjen e 160 milionë dozave nga kompania “Moderna”.
 
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen, këshillon vendet anëtare të fillojnë përgatitjet për zbatimin e planit të shpërndarjes së dozave të vaksinave. Në pritje të vaksinës numri i personave të infektuar vazhdon të ritet.
 
Në nivel botëror numri i të infektuarve ka arritur në mbi 60 milion e 527 mijë persona, prej të cilëve mbi 38 milion e 823 mijë janë shëruar ndërsa rreth një milion e 424 mijë persona kanë vdekur.
 
GYLTENE SINANI