Maqedoni

Intervista për median bullgare, Zaev: Kam obligim ndaj qytetarëve për zgjidhje

26.11.2020 15:42

Një ditë pas intervistës për median bullgare BGNES, e cila shkaktoi reagime të shumta në opinion...

Një ditë pas intervistës për median bullgare BGNES, e cila shkaktoi reagime të shumta në opinion, kryeministri Zoran Zaev sërish ka mbrojtur qëndrimet që i shprehu një ditë më parë. Duke shprehur keqardhje për gjithë ato reagime të opinionit, Zaev thotë se ndryshimi i retorikës ndaj Bullgarisë është me qëllim zhbllokimin e procesit euro-integrues të vendit. 
 
“Më lejoni të shpreh keqardhje që intervista ime për median bullgare shkaktoi aq emocione të fuqishme negative, për të cilat jam plotësisht i vetëdijshëm, që i njoh dhe i kuptoj në detaje. Por njëkohësisht kam obligim ndaj qytetarëve maqedonas t’i afrojë drejt zgjidhjes së çështjeve që janë hapur me Bullgarinë dhe që janë bërë pengesë për miratimin e kornizës negociuese me BE-në. Të dy popujt edhe maqedonasit edhe bullgarët duhet të përballemi me ato çështje të historisë dhe të zhvillojmë kapacitet për të qëndrueshëm për mirëkuptim.”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
 
Zaev theksoi se gjuha dhe identiteti maqedonas nuk janë në tavolinë të bisedimeve bisedimet, por qëndron në atë se nga historia e përbashkët burojnë edhe gjuha maqedonase por edhe ajo bullgare.
 
“Gjuhët tona në Ballkan burojnë nga gjuha dhe kultura e vjetër sllave, alfabetet e krijuara nga Sh. Kirili e Metodi, të cilët i shënojmë bashkërisht, e më pas nga trashëgimtarët e tyre, Sh. Klimentin dhe Naumin e Ohrit që e krijuan shkrimin cirilik. Sot kemi “Raka” në Maqedoni, “Rrëka” në Bullgari”, “Ruka” në Serbi. Këto janë rrënjët. Rrënjët mund t’i shohim si diçka që na bashkojnë ose diçka që na ndajnë. Nëse jemi evropianë dhe të mençur do t’i shohim si diçka që na bashkojnë, na bëjnë më të afërt.”,- tha kryeministri, Zoran Zaev. 
 
Qëndrimet e kryeministrit Zaev i komentoi edhe shefi i shtetit, Stevo Pendraovski. Duke iu bashkangjitur një pjesë të konsiderueshme të kritikave të opinionit maqedonas, Pendravoski në një intervistë për DW thekson se kontesti mund të zgjidhet vetëm me respektimin e dinjitetit të dy popujve.  
 
“Zgjidhja e mosmarrëveshjeve me peshë strategjike kërkon dy parakushte: të kesh vullnet politik, që nganjëherë nënkupton edhe guxim politik, të arrish një konsensus që nuk asnjëherë nuk rrit rejtingun, dhe së dyti – të respektosh faktet historike të verifikuara ndërkombëtarisht dhe të qëndrosh në politikat që janë realitet i dukshëm. Në pjesën e parë, publiku ynë e di se unë jam politikani i parë maqedonas në histori që publikisht ofroi një diskurs më të gjerë politik në lidhje me një nga apostujt më të mëdhenj të lëvizjes revolucionare maqedonase. Sidoqoftë, nuk shkova më tej, sepse është punë e një Komisioni të përbërë nga historianë, aq më pak punë e politikanëve. Ne e kemi diskutuar këtë temë me kryeministrin Zaev shumë herë dhe kurrë nuk kemi pasur debat në lidhje me atë se disa personalitete dhe ngjarje mund të festohen nga të dy palët, por jemi pajtuar që populli maqedonas ka historinë e vetë, ashtu si populli bullgar që ka të vetën. Në të njëjtën kohë, në të gjitha paraqitjet e mia publike unë qartë them se lufta antifashiste është në themelet e shtetit modern maqedonas dhe në atë luftë ne kemi luftuar kundër atyre që ishin në anën e fashistëve. Përvoja ime 20 vjeçare në politikën ndërkombëtare më lejon të mat me saktësi fjalët dhe qëndrimet që shpreh kur flas me bashkëbiseduesit e mi bullgarë dhe miqtë tanë nga bashkësia ndërkombëtare. Dhe i bëj të qartë secilit prej tyre se mosmarrëveshja maqedono-bullgare mund të zgjidhet vetëm nëse respektohet vazhdimisht dinjiteti i popullit maqedonas dhe atij bullgar dhe duke shmangur grackën e rrezikshme të revizionizmit historik që bazohet në ndërtime politike në vend të fakteve”, theksoi Pendarovski gjatë intervistës së tij për DW.
 
Intervista e Zaevit për BGNES u komentua edhe nga antëtarët tjerë të kabinetit të tij. Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Nikolla Dimitrov, përmes një statusi në Facebook, theksoi se Marrëveshja për Fqinjësi të Mirë me Bullgarinë parasheh që historia t`i lihet historianëve ndërsa politikanët të merren me të tashmen dhe të ardhmen. Ndërsa ministrja e kulturës, Irina Stefoska qëndrimet e Zaevit i krahasoi me deklaratën e presidentit amerikan, Joe Bajden, i cili thekson se t’i duash fqinjët ashtu siç e do vetveten është akt radikal.


ZEKIRJA MEXHITI