Maqedoni
Seancat online të Kuvendit, Xhaferi: I tërë Kuvendi nuk do të punojë nga distanca
26.11.2020 15:58
61 deputetë votuan nevojën që në procedurë të përshpejtuar të ndryshohet rregullorja e Kuvendit...

61 deputetë votuan nevojën që në procedurë të përshpejtuar të ndryshohet rregullorja e Kuvendit, duke i mundësuar deputetëve në izolim nga COVID-19 ose ata të cilët kanë pasur kontakt me të infektuar, të mund të punojnë online në seancat e Kuvendit. Kryeparlamentari sqaroi se propozimi nuk mundëson që i tërë parlamenti të kalojë online.
“Qëllimi dhe intenca është e vetme, mundësia që deputetët të cilët me vendim të organit përkatës shtetëror shëndetësorë janë të izoluar për kohë të caktuar dhe të penguar në kohë të caktuar si pasojë e pandemisë dhe atyre t’iu mundësohet që të marrin pjesë në mënyrë elektronike nga larg dhe kjo nuk nënkupton mundësinë që deputetët të cilët do të kenë lloje të ndryshme të sëmundjeve të tjera, nuk i përfshin kjo mundësi.”,- deklaroi kryeparlamentari, Talat Xhaferi.
Rexhepi: Puna online, shkelje kushtetuese
Nga Alternativa kërkuan që propozimi të largohet nga rendi i ditës pasi me të bëhet shkelje kushtetuese dhe tentohet të arsyetohen deputetët që s’duan të marrin pjesë në seanca duke u thirrur në pandeminë.
“Ky ndryshim i rregullores që propozoni, për fat të keq ju sjell juve në pozitën e Trajko Veljanovskit, ndoshta kryeministrin e sjell në pozitën e Nikolla Gruevskit, të cilët ishin të vetmit që bënë ndryshim të rregullores së kuvendit pa miratimin e opozitës.”,- theksoi deputeti i Alternativës, Skender Rexhepi.
Micevski: Nuk do të lejojmë të kalojë propozimi
Në seancë munguan deputetët e VMRO–DPMNE-së.
“Arsye e vetme se përse kërkohet puna online e kuvendit është se nuk mund të krijojnë shumicë për punë. S’do lejojmë të kalojë një zgjidhje jokonsensuale dhe jo kushtetuese në kuvendin e republikës së Maqedonisë.”,- u shpreh deputeti i VMRO–DPMNE-së, Nikolla Micevski.
Me gjithë reagimet Xhaferi angazhoi komisionet parlamentare që të shqyrtojnë propozimin e tij dhe më pas i njëjti të kalojë për votim në Kuvend.
MERAL ISMAILI
