Maqedoni

VMRO-DPMNE: Zaev po shkel vijat e kuqe.

26.11.2020 16:09

Tezat e Zaevit në intervistën për median bullgare nënkuptojnë parapërgatitje për një dorëheqje të re...

Tezat e Zaevit në intervistën për median bullgare nënkuptojnë parapërgatitje për një dorëheqje të re, marrëveshje të re joprincipiele në dëm të Maqedonisë, reaguan nga VMRO-DPMNE. Nënkryetari i kësaj partie, Misajlovski, tha se kjo është një tradhti e re dhe nuk duhet të lejohet që Zaevi t’i shkelë vijat e kuqe. Ata i rekomandojnë që të mbrojë interesat e njerëzve kryeministër i të cilëve është.
 
“Mos lejoni që sakrifica juaj ose e familjarëve tuaj të jetë e kotë. Zoran Zaev heq dorë nga ju dhe ju përqesh. Ne publikisht i bëjmë thirrje Zaevit që të tërhiqet nga deklaratat e tij të dëmshme dhe të kërkojë falje për qëndrimin negativ ndaj heronjve tanë. Të ketë kujdes se për çka dhe si negocion. Kjo për të cilën tani Zaev negocion janë bastionet e fundit mbi të cilat vdes identiteti ynë. Le t’u japë fund koketimeve me politikanët bullgarë dhe të fillojë të mbrojë interesat e njerëzve kryeministër i të cilëve është.”,- tha nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Vllado Misajlovski.
 
LSDM: VMRO-DPMNE nënçmoi Luftën Çlirimtare
 
Ndaj preskonferencës së Misajlovskit reagon LSDM. VMRO-DPMNE ka më së paku të drejtë të thirret në Luftën Çlirimtare të Popullit dhe  të folur për partizanët dhe heronjtë kombëtarë.
 
“Ishte kjo parti që ndërtoi ideologjinë duke poshtëruar Luftën Nacionalçlirimtare, luftëtarët, partizanët, duke ndryshuar kuptimin e tyre, duke fshirë dhe ndryshuar emrat e rrugëve, bulevardeve dhe institucioneve që u emëruan pas partizanëve maqedonas, një parti që gjatë regjimit, i hodhi në rrugë luftëtarët e gjallë dhe i lanë të pastrehë, parti që krijoi Muzeun e Viktimave të Komunizmit.”,- thuhet në reagimin e LSDM-së. 
                                                                              
Nga VMRO–DPMNE kanë thirrur protesta për, siç thuhet,  mbrojtjen e vijave të kuqe të RVM-së. 
 
SANIJE DURAKU