Jankullovska: Opinioni të mos merret me punën e institucioneve

11.11.2014 16:09

Ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska, vlerëson se aksionet e fundit në disa qytete të Drejtorisë së të Ardhurave Publike, Inspektoratit të Tregut dhe Ministrisë së Brendshme kanë qenë të suksesshme........

Në këto aksione janë detektuar një numër i madh shkeljesh ligjore, janë sanksionuar autorët, janë ngritur kërkesa për ngritje padish kundërvajtjeje, ndërsa shumë nga objektet, ku janë konstatuar shkelje më serioze të ligjit, janë mbyllur dhe në përputhje me ligjin iu është shqiptuar masa “ndalim të ushtrimit të veprimtarisë”, ka thënë Jankullovska.

“Suksesi i këtyre aksioneve vetëm e konfirmon arsyeshmërinë e këtyre aksioneve dhe na jep të drejtë që ne të rrisim intensitetin e këtyre aksioneve, ato të vazhdojnë edhe në të ardhmen, të paktën me intensitet të njëjtë, por nëse e kërkon nevoja edhe në intensitet më të madh dhe nuk e përjashtojmë mundësinë edhe për përfshirjen e institucioneve të tjera, varësisht nga lloji i kontrollit që zhvillohet”- deklaroi Gordana Jankullovska nga MPB.

Por, në pyetjen e opinionit të interesuar se kush e ka kërkuar pjesëmarrjen e njësitit special në këto aksione, ministrja e Brendshme vlerëson se opinionit kjo nuk duhet t’i interesojë.

“Opinioni nuk ka nevojë të merret me veprimin e institucioneve në kuptim të organizimit të punës së tyre”- tha Jankullovska.

Jankullovska nuk deshi të komentojë qëndrimin e zëvendësdrejtorit të Drejtorisë për të Ardhurat Publike, Argëtim Hasanit, se kjo drejtori nuk ka kërkuar asistencë të policisë, pasi që, sipas Jankullovskës, në këtë rast bëhet fjalë për mosnjohje të ligjit. Reagimi i Hasanit dhe përplasjet me numrin dy të policisë, Zymri Qamilin, erdhën pas shqetësimit të qytetarëve dhe afaristëve për përfshirjet e njësitit special në aksionet në lokalet në Çair, Saraj, Gostivar dhe Dibër dhe së fundmi mbrëmë në Studeniçan. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)