Maqedoni
Së shpejti nis zgjerimi i sheshit “Skënderbeu”
11.11.2014 16:13
Deri në fund të këtij muaji do të fillojnë punimet e fazës së dytë për ndërtimin e sheshit “Skënderbeu” në Shkup...

Komuna e Çairit tanimë është pajisur me të gjitha lejet dhe pëlqimet e nevojshme për zgjerimin e këtij sheshi dhe bëjnë përgatitjet e fundit për të nisur punën në terren.
Pothuajse është gjithçka gati, inspektorët dhe arkitektët janë çdo ditë në mbikëqyrje të terrenit, të cilët në këtë fazë parashikojnë zgjerimin e sipërfaqes së sheshit për plus 6 mijë metra katror, vend i cili do të dedikohet për pushime dhe shëtitje.
“Punimet për fazën e dytë të sheshit “Skënderbeu” duhet të fillojnë afërsisht brenda 10 ditëve. Për momentin kemi marrë lejen e ndërtimit nga Qyteti i Shkupit. Jemi në pritje të marrim edhe një leje sa i përket regjimit kohor të komunikacionit dhe pasi që ta marrim edhe këtë leje, fillojmë me punimet”- deklaroi udhëheqësi i sektorit për urbanizëm në Komunën e Çairit, Xhengiz Hani.
Sheshi i ardhshëm për më pak se 16 muaj do të shtrihet prej Qendrës Tregtare “Ura” deri tek udhëkryqi i bulevardit “Goce Delçev”.
Projekti i zgjerimit të sheshit “ Skënderbeu” do të bëhet gjatë muajve të ardhshëm. Ndërtimi i fazës së dytë të sheshit nënkupton mbulimin e bulevardit “Goce Delçev”, pra do të ndërtohet shesh sipas shembullit të metropoleve evropiane.
Qytetarët e anketuar të TVM-2 e mirëpresin realizimin e këtij projekti, duke vlerësuar se një shesh i zgjeruar dhe më i madh do të jetë një kartë identiteti për të gjithë shqiptarët e vendit.
“Normal se çdo qytetar ka nevojë për shesh, sidomos ne që s’jemi të Shkupit dhe vijmë prej Durrësit, duam të shohim shesh pak më të madh”- u shpreh një turist nga Durrësi.
“Është mirë të bëhet, gjithçka që bëhet është mirë”- tha një qytetar.
“Po, me ndërtimin e sheshit me siguri do të ketë më shumë dyqane, më shumë punësime, mendoj se do të jetë më mirë”- theksoi një qytetar.
Ndërtimi i fazës së dytë të sheshit “Skënderbeu” kap vlerën prej 10 milionë euro, para të cilat janë siguruar nga buxheti i shtetit. Kompania e cila do të jetë përgjegjëse për punimet në shesh është kompania “BAUER MK”.
REXHEP QAMILI
