Botë

Mandati i Gjykatës Speciale zgjat deri në njoftimin e Këshillit të BE-së

27.11.2020 11:13

Mandati i Gjykatës Speciale do ta zgjasë deri në njoftimin e Këshillit të Bashkimit Evropian.

Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese në Hagë, thotë në vendimin e saj se mandati i tyre ka vazhduar dhe do të vazhdojë deri sa Këshilli i Bashkimit Evropian të njoftojë për përfundimin e tij. Ky njoftim u bë publik në ditën kur Ekatarina Trendafilova, u mandatua edhe për një mandat katërvjeҫar në krye të Gjykatës Speciale.
 
Para se të akuzohej për krime lufte, në fund të muajit gusht, ish-presidenti Thaçi iu drejtua Kryesisë së Kuvendit të Kosovës me një propozim për amendamentin e Kushtetutës për zgjatjen e mandatit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Thaçi këkroi të ndryshohet neni i amendamentit, ku thuhet se mandati i këtij institucioni do të zgjasë për një periudhë pesëvjeçare. Kërkesa e tij, u kundërshtua nga Prokuroria e Speciale, që e cilësoi atë jo kushtetuese.
 
Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndaj pakicave etnike dhe kundërshtarëve politik të cilat përmenden edhe në raportin e KE-së të vitit 2011, të përpiluar nga Dick Marti. Gjykata Speciale u themelua me vendimin e parlamentit të Kosovës në gusht të vitit 2015 . Edhe pse  financohet nga Bashkimi Europian, ajo punon dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës. Vendosja e saj në Hagë është bërë pasi qeveria e Holandës, pretendoi se “dëshmitarët mund të ndjehen të kërcënuar nëse proceset gjyqësore do të zhvilloheshin në Kosovë”.