Nesër rinisin bisedimet për emrin
Nesër, pritet të mbahet takimi i radhës mes kryenegociatorëve të Maqedonisë dhe Greqisë......

Takimi i ndërmjetësuesit, Metju Nimis, me negociatorin e Maqedonisë, Vasko Popovski dhe atë të Greqisë do mbahet në selinë e OKB-së në Nju Jork. Nimic fillimisht do të zhvillojë takime të ndara me negociuesit dhe më pas edhe takim të përbashkët.
Ende nuk dihet nëse Nimic do të japë një propozim të ri për zgjidhjen e emrit. Por, analistët politik në vend kanë qëndrime të ndara lidhur me rezultatet që mund të sjellë takimi i radhës i negociuesve të Maqedonisë dhe Greqisë me ndërmjetësuesin e KB-së, Metju Nimic, për zgjidhjen e çështjes së emrit të Maqedonisë.
Analisti, Mersel Bilalli, mendon se bisedimet zhvillohen në dy binarë paralel, në binar të padukshëm dhe të dukshëm, ku mund të priten rezultate pozitive, por edhe zgjidhje, pasi është rritur edhe presioni i faktorit ndërkombëtar.
“Ky i dyti është i dukshmi dhe mendoj se bisedimet hynë në një fazë kritike për shumë arsye. Në rend të parë për shkak të realitetit se kaluan shumë kohë dhe është në pyetje kredibiliteti i BE-së, por dhe çështjet e stabilitetit të brendshëm dhe unë jam i bindur se diçka duhet të ndërmerret këto dy muajt e ardhshëm deri në vitin e ri. Thellë jam i bindur se bisedat që zhvillohen në binarin e padukshëm janë shumë afër zgjidhjes dhe të supozojmë se do të ketë zgjidhje, me çka do të realizohej mbarë ambienti politik dhe disponimi i përgjithshëm këtu, që për fat të keq është i tensionuar momentalisht. Tash presioni është shumë i fuqishëm nga jashtë, sidomos nga Boni dhe Brukseli, që të gjendet ndonjë zgjidhje”, deklaroi analisti politik, Mersel Bilalli.
Por, analisti politik, Nano Ruzhin, nuk shprehet optimist se nga takimi i nesërm i negociatave mund të pritet që punët të lëvizin nga pika zero.
“Kjo do të jetë edhe një takim rutinë, në të cilin vetë përfaqësuesit do të merren vesh, se nuk janë marrë vesh dhe praktikisht fitohet bindja se ato takime kryhen më shumë që të plotësohen format e ndryshme, por jo që të gjendet zgjidhje e vërtetë. Por, sipas mendimit tim, duket se rëndësia e çështjes është e tillë, që t’i jepet kuptim i atillë, që negociuesit e vërtetë janë kryeministrat e dy vendeve. Deri sa nuk bëhet takim i tillë, mendoj se të kota do të jenë të gjitha përpjekjet e mëtejme, takimet, financimet etj”, tha analisti, Nano Ruzhin.
Ruzhin shton se dëshmi që zgjidhja mund të gjendet vetëm gjatë takimeve të kryeministrave është e kaluara, kur kishte takime në margjina të konferencave mes kryeministrave të Maqedonisë dhe Greqisë. Sipas tij, suksesi i fundit ka qenë në vitin 2010, që praktikisht është arritur deri në pajtim të qëndrimeve të Gruevskit dhe Papandreut, por për shkak të ndonjë detali të imët ose për diçka të pasqarueshme për vëzhguesit dhe pjesëmarrësit e takimit nuk është arritur deri në asnjë nënshkrim dhe marrëveshje. (Mefail Ismaili, TVM2)
