Maqedoni

Ndotja e ajrit në Tetovë, qytetarët: Ndjehet shumë sidomos gjatë natës

27.11.2020 14:47

Në Tetovë ajri vazhdon të arrijë nivele të larta të ndotjes, vecanërisht në orët e mbrëmjes...

Në Tetovë ajri vazhdon të arrijë nivele të larta të ndotjes, vecanërisht në orët e mbrëmjes. Por edhe gjatë ditës, koncentrimi i grimcave të dëmshme në ajër, arrin deri në 200 mikrogram. Qytetarët ankohen për ajrin e ndotur. Më rëndë është për të sëmurët kronikë.
 
"Merret frymë vështirë, kur dalim në ballkon sidomos natën, ndjehet shumë.", tha një qytetar.
 
Kombinimi i ndotjes me virusin, mjekët: Pa respektuar masat, dimri i vështirë
 
Nëse ndotjes së ajrit i shtohet edhe rreziku nga pandemia Covid, e gjithë kjo kthehet në jnë kombinim të rrezikshëm për shëndetin. 
 
"Një grimcë PM mund të qëndrojë me ditë të tëra në ajër dhe kjo krijon atë “stuhinë perfekte “për dëmtimin e shëndetit. Nëse nuk I respektojmë masat, mund të thuhet se na pret një dimër I vështirë.", tha një mjek.
 
Komuna e Tetovës: Inspektorët në terren, dënime për shkelësit
 
Por edhe pse nivelet e ndotjes janë alarmante, në terren nuk po ndërrmeren masa serioze për zvogëlimin e faktorëve të ndotjes. Kaosi në komunikacion vazhdon, hapësirat e gjelbërta janë në minimum, ndërmarrjet prodhuese vazhdojnë të ndosin. Nga komuna thonë se inspektorët kryejnë kontrolle në vazhdimësi e gjithkush që lëshon në ajër materje të dëmshme, dënohet. 
 
"Inspektorët nuk kanë ingerenca të japin në vend masa dënuese por jepet urdhëresë që të kryehet analiza në laborator për ndotjen në atë moment e kuptohet që inspektoriati pret të kthehen urdhëresat nga laboratorie më pas veprohet sipas ligjit.", thonë nga komuna e Tetovës.
 
Tetova u gjend edhe këtë javë në krye të bazës së të dhënave të NUMBEOS- si qyteti më I ndotur në botë.
 
VISAR SADIKI