Botë
Pritje madhështore për Ramën në Preshevë
11.11.2014 18:00
Për preshevarët sot ishte një ditë e veçantë. Për herë të parë pas 102 vitesh pavarësi të shtetit shqiptar, luginën e vizitoi kryeministri shqiptar...

Prandaj, me mijëra qytetarë kishin dalë të presin kryeministrin shqiptar, Edi Rama, me flamuj kombëtar dhe me muzikë.
Do të mbrojmë motrat dhe vëllezërit tanë në këto troje, premtoi Rama para të pranishmëve. Liria dhe të drejtat e çdo shqiptari janë të paprekshme, pavarësisht vendit ku jetojnë, tha Rama, duke shtuar se shqiptarët tanimë kanë nisur betejën e përbashkët për Evropën e madhe.
“Shqiptarët kanë ditur instinktivisht si popull, si komb të dallojnë rrugën qorre të nacionalizmit primitiv me rrugën e patriotizmit evropian. Dhe nëse sot shqiptarët janë në këtë pozitë të gatshëm për të shkuar më tutje, por edhe të fortë për të përballuar rrugën më tutje, vetëm një gjë s’duhet të harrojmë, kjo ka ardhur si rezultat i të qenurit njerëz të besës me aleatët tanë të mëdhenj strategjik, SHBA-të dhe BE-në”- deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Paraprakisht, Kuvendi Komunal i Preshevës kryeministrin shqiptar e shpalli qytetar nderi. Ndërsa kryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa, tha se kryeministri, Edi Rama, është vendosur në pozicionin e liderit të shteteve ballkanike dhe përgëzoi për deklaratat dhe përkushtimin e tij për Preshevën.
“Nuk do mend që kryeministri shqiptar tanimë është vendosur në pozicionin e liderit të shteteve ballanike. Shqipëria do të udhëheq drejt portës së Evropës. Do jetë udhëheqëse dhe pas saj do të ikin shtetet e tjera, siç ka ikur ajo e para në NATO. Përgëzoj kryeministrin shqiptar dhe deklaratën e tij në Beograd dhe deklaratën me Vuçiqin”- tha kryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa.
Vizita e Ramës u mirëprit edhe nga qytetarët, të cilët shpresojnë për përmirësimin e pozitës së tyre në këtë rajon.
“Është një nder për qytetin e Preshevës, i vetmi kryeministër që na viziton brenda 70 vitet e fundit, ne për herë të parë po shohim një kryeministër në Luginë të Preshevës”- u shpreh një qytetar.
“Ne Edi Ramën e presim me padurim. Pas 102 viteve, Edi Rama po vjen në Preshevë me na pa ne shqiptarëve se sa ne vuajmë prej serbëve”- theksoi një qytetar.
Me vizitën në Preshevë, kryeministri Rama përfundon vizitën dyditore në Serbi, ndërsa në Shqipëri do të kthehet nëpërmjet rrugës tokësore, nëpërmjet Kosovës.
GYLTENE SINANI
