VMRO-DPMNE proteston në 7 qytete, kërkohet dorëheqja e Kryeministrit, Zaev
VMRO DPMNE protestoi në disa qytete të vendit....

VMRO DPMNE protestoi në disa qytete të vendit. Protesta sipas tyre është mbipartiake për mbrojtjen e linjave të kuqe të identitetit.
VMRO DPMNE dha mesazh për bashkimin e të gjithë qytetarëve duke kërkuar që Zaev publikisht të kërkoj falje për ofendimet në intervistën e fundit për median bullgare.
“Të mos lejojë askush nga ne në këtë shtet që sërish Zoran Zaev të tregëtojë me identitetin tonë, me gjuhën, me kumanovarët. Këtu kemi shumë njerëz që kanë luftuar për Maqedoninë, këtu kemi eshtra të heronjëve të Kosturnicës dhe nuk mundet që dikush me deklarata qoftë edhe Kryeministër të na përqesh dhe nënçmojë” – tha Nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Vllado Misajllovski.
Por Ministri i Brendshëm Oliver Spasovski i bëri thirrje opozitës, që të respektojë ndalimin e tubimeve publike, për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve
“Apeloj të respektohen masat, sepse nëse ka vendim që të mos ketë mundësi për tubime dhe protesta kjo të mos bëhet për shkak të rrezikimit të shëndetit të qytetarëve. Mbrojta nga Covid 19 nuk nënkupton qeverinë, opozitën, fenë apo kombin, por të gjithë bashkërisht në luftë kundër këtij armiku ta mbrojmë shtetin, popullin dhe shëndetin e qytetarëve” – u shpreh Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
Spasovski tha se situata e sigurisë në vend është e qëndrueshme, pa ndonjë rrezik të prishjes së rendit dhe se kërcënimet nga partitë e opozitës po ndiqen, por ato nuk përbëjnë problem për rendin dhe sigurinë publike. (Flutura Latifi, TVM2)
