Maqedoni
BDI dhe PDSH përshëndesin vizitën e Ramës në Beograd e Preshevë
11.11.2014 18:05
Partitë politike shqiptare kanë përshëndetur vizitën e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, në Beograd dhe Luginën e Preshevës...

Deputeti nga radhët e BDI-së, Artan Grubi, thotë se takimi i Beogradit mes kryeministrit, Edi Rama dhe atij serb, Aleksandër Vuçiq, duhet që të reflektojë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve dhe fokusimit drejt agjendave të përbashkëta evropiane.
Sipas tij, vizita është në frymën e agjendës së Berlinit, e cila e parasheh rajonin të integruar dhe me perspektivë euroatlantike.
"BDI e mbështeti dhe e inkurajoi këtë vizitë të z. Rama me kryeministrin serb Vuçiç, për arsye se është në vazhdimësi të realizimit të agjendës së Berlinit, për një rajon sa më të integruar, sa më bashkëpunues midis vete dhe me synime të përbashkëta për integrim evropian dhe euroatlantik. Kjo gjithashtu është vazhdimësi e dialogut mes shqiptarëve dhe serbëve, për të tejkaluar mosmarrëveshjet e së kaluarës dhe ky dialog ka filluar mes kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryeministrit serb, Ivica Daçiç dhe me marrëveshjen historike mes Prishtinës dhe Beogradit"- deklaroi Artan Grubi nga BDI.
Edhe PDSh ka përshëndetur vizitën e kryeministrit Rama dhe qëndrimin e hapur zyrtar të Shqipërisë rreth Kosovës dhe statusit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
“Qëndrimet e kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, të paraqitura në Beograd gjatë takimit me kryeministrin e Serbisë, Vuçiq, padyshim shprehën orientimin e të gjithë shqiptarëve për integrimin e tyre në Bashkimin Evropian, si dhe realizimin e aspiratave të përbashkëta kombëtare”- thuhet në deklaratën me shkrim të kreut të PDSh-së, Mendu Thaçi.
Sipas Thaçit, qëndrimi dinjitoz i kryeministrit të Republikës së Shqipërisë për pavarësinë e Kosovës në Beograd u jep më shumë shpresa shqiptarëve, se Shqipëria zyrtare do të përkujdeset për çdo shqiptar, pa marrë parasysh ku jetojnë ata.
SHPËTIM NUREDINI
