Botë

Thaçi e vlerëson të rëndësishme vizitën e Ramës

11.11.2014 18:08

Historike dhe hapje e një kapitulli të ri në marrëdhëniet mes dy popujve, mbi bazën e së cilës do të krijohet një klimë e re ndërfqinjësore në rajone...

Historike dhe hapje e një kapitulli të ri në marrëdhëniet mes dy popujve, mbi bazën e së cilës do të krijohet një klimë e re ndërfqinjësore në rajone, e ka cilësuar kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, vizitën e kryeministrit Rama në Beograd.
 
“Uroj që dialogu i drejtpërdrejtë mes liderëve të të dy shteteve për çështjet e hapura, që u zhvillua kësaj radhe, të vazhdojë edhe në të ardhmen me vullnet të mirë, kurajo dhe sinqeritet, pasi dialogu është forma më e mirë për të arritur në një mirëkuptim dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajonin tonë”, ka thënë Thaçi.
 
Thaçi gjithashtu ka komentuar dhe deklaratën e kryeministrit Rama lidhur me njohjen e Kosovës së pavarur.
 
“Përgëzoj homologun Rama për qëndrimin që mbajti lidhur me domosdoshmërinë e njohjes së realitetit të Kosovës së pavarur, për mbështetjen që i dha dialogut Prishtinë-Beograd, si dhe për solidaritetin që dëshmoi për bashkëkombësit tanë në Luginën e Preshevës”, është shprehur Thaçi përmes një postimi në Facebook.
 
Më tej, kryeministri i Kosovës ka vlerësuar nënshkrimin e marrëveshjeve mes Shqipërisë dhe Serbisë, duke i cilësuar si pika që hapin një perspektivë të re në rajon.
 
"Besoj se kjo vizitë historike dhe nënshkrimi i tre marrëveshjeve të rëndësishme të bashkëpunimit po shënojnë një kapitull të ri të ndërtimit të raporteve të mira e me baza të shëndosha mes dy popujve”, ka vijuar më tej ai.
 
Përmes një postimi në Facebook, vizitën e kryeministrit Rama në Serbi e ka komentuar edhe deputeti i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Astrit Patozi. Krahas rezervave që kam për kryeministrin, Edi Rama, paraqitja e tij në konferencën për shtyp në Beograd ka qenë minimumi që ka bërë ai.
 
NAIM RAMADANI