Maqedoni
Analistët: Rama në Beograd i tha gjërat që janë realitet
11.11.2014 18:11
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, në mes të Beogradit edhe një herë përcolli qëndrimin zyrtar të Shqipërisë...

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, në mes të Beogradit edhe një herë përcolli qëndrimin zyrtar të Shqipërisë, por edhe vendosi në kornizë evropiane lidershipin e Serbisë, se pavarësisht mospërputhjes së qëndrimeve rreth Kosovës, pavarësia e saj mbetet e pakontestueshme.
Sipas analistëve, Albert Musliu dhe Bekim Kadriu, Qeveria shqiptare, pavarësisht reaksioneve të palës serbe, bënë me dije se politikanët shqiptarë nuk do të shkojnë në Serbi me fjalime paraprakisht të cenzuruara.
“Kryeministri Rama, duke e përdorur elokuencën dhe sharmin që e ka, i tha ato gjëra që janë realitet dhe tentoi që edhe lidershipin politik të Serbisë ta fusë në ato kornizat e veprimit evropian. Veprimi evropian në mënyrë evropiane të bërjes politikë nënkupton edhe mospëlqim edhe mosdakordim për çdo çështje, por edhe mundësinë e të shprehurit të mendimit dhe qëndrimit tuaj personal. Mendoj se kryeministri Rama ia bëri me dije edhe kryeministrit Vuçiç, pavarësisht reaksioneve të tij, të cilat, sipas meje, nuk ishin shumë profesionale, ia bëri me dije se për këto çështje ata nuk do të dakordohen asnjëherë, por nuk do të thotë se politikanët e Shqipërisë duhet të shkojnë në Serbi me fjalime paraprakisht të cenzuruara dhe të formuluara”- deklaroi analisti, Albert Musliu.
“Ka shpreh një qëndrim të tij si kryeministër dhe një qëndrim zyrtar të shtetit shqiptar dhe Qeverisë shqiptare në lidhje me Kosovën dhe statusin e Kosovës si subjekt i të drejtës ndërkombëtare”- tha analisti, Bekim Kadriu.
Për dallim nga Kosova, Shqipëria e ka shumë më lehtë të ngrejë në nivel ndërkombëtar çështjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, vlerësojnë analistët.
“Shqipëria natyrisht në çdo kohë mund të insistojë në respektimin e standardeve ndërkombëtare, që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, në mos diskriminimin, të insistohet në përmirësimin e statusit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, në kërkim të krijimit të ndonjë autonomie të veçantë. Mirëpo sidoqoftë, vija e bashkëpunimit do të shkojë në nivel shtetëror të njërit shtet dhe shtetit tjetër, si dy subjekte të barabarta në të drejtën ndërkombëtare”- u shpreh analisti, Bekim Kadriu.
“Historikisht dhe tradicionalisht dhe me dekada të fundit Presheva ka qenë çështje me të cilën më shumë është marrë lidershipi i Kosovës sesa ai i Shqipërisë. Unë mendoj se kryeministri Rama edhe në Beograd e potencoi këtë se kujdesi për shqiptarët kudo që janë është kujdes jo vetëm personal i tij, por edhe kujdes kushtetues dhe aty nuk ka asnjë dilemë. Ai këtë e ka obligim ta bëjë, por e kanë pasur edhe të tjerët, por kryeministri Rama vëmendjen e tij Preshevës ia dha edhe gjatë kohës sa ishte në opozitë, e vizitoi Preshevën, organizoi disa manifestime në Preshevë”- theksoi analisti, Albert Musliu.
Sipas analistëve, mbështetja e kryeministrit, Edi Rama, për qytetarët e Luginës së Preshevës është edhe një impuls plotësues që të vendoset në binaret e lëvizjeve dhe veprimeve evropiane, por edhe ta kërkojnë mbështetjen e duhur të shtetit shqiptar ashtu siç u takon konform kushtetutës së Shqipërisë.
SANIJE KASAMI
