Botë
Afganistan: Dhjetëra persona të vrarë me makinë-bombë
29.11.2020 12:48
Të paktën 30 pjesëtarë afganë të sigurisë janë vrarë si pasojë e një sulmi vetëvrasës me makinë-bombë...

Të paktën 30 pjesëtarë afganë të sigurisë janë vrarë si pasojë e një sulmi vetëvrasës me makinë-bombë, në një bazë ushtarake në provincën Gazni të Afganistanit, kanë thënë zyrtarët.
Të paktën 24 persona të tjerë janë plagosur në shpërthimin e 29 nëntorit, i cili ka ndodhur në hyrje të një bazë ushtarake në mëngjesin e së dielës.
Një zëdhënës për Ministrinë e Brendshme afgane ka konfirmuar sulmin me makinë-bombë, mirëpo nuk ka ofruar informacione për viktima.
Ende askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Provinca Gazni është përballur me luftime të rregullta në mes të forcave afgane të sigurisë dhe militantëve talibanë në muajt e fundit.
Rreth 10 prej 19 qarqeve të kësaj province janë nën kontrollin taliban. Më 29 nëntor edhe një tjetër sulm vetëvrasës me makinë-bombë është raportuar në jug të Afganistanit, duke lënë të vdekur të paktën tre persona dhe duke plagosur 12 të tjerë. Shefi i provincës Attajan Haqbayat, makina e të cilit ka qenë në vendin e sulmit, i ka mbijetuar sulmit me plagë të lehta.
