Maqedoni
Përplasje në këshillin e Shkupit për selinë e VMRO-së
11.11.2014 18:13
Këshilltarët e BDI-së, PDSH-së dhe LSDM-së janë kundër propozimit të kryetarit të Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski...

Këshilltarët e BDI-së, PDSH-së dhe LSDM-së janë kundër propozimit të kryetarit të Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski, që qytetarët të paguajnë 1 milionë e 377 mijë euro për rregullimin e selisë së VMRO-së me ndërtimin e një shatërvani.
Në vend të ndërtimit të këtij sheshi, propozohet që paratë nga buxheti të shfrytëzohen për projekte në interes të qytetarëve.
“Propozojmë që paratë nga buxheti i Qytetit të shfrytëzohen për ndërtimin e ujësjellësit në lagjen Shuto Orizarë dhe sigurimin e transportit publik falas për qytetarët. Është e palejueshme që një pjesë e qytetarëve të mos kenë qasje deri tek uji i pijshëm, ndërsa të harxhohen 1 milionë e 377 mijë euro për rregullimin e hapësirës para selisë së VMRO-DPMNE-së”- deklaroi koordinatori i këshilltarëve të LSDM-së, Damjan Mancevski.
“Ne vlerësojmë se në këto momente shumë më mirë mjetet materiale mund të shfrytëzohen për projekte në interes të qytetarëve, sesa të ndërtohen projekte apo shatërvane të tilla”- tha këshilltari i BDI-së, Qemal Musliu.
“Në mënyrë parimore ne nuk votuam sot edhe njëherë dhe përgjithmonë ju jeni ata të cilët e keni shumicën dhe nuk mundeni të kërkoni përgjegjësi prej opozitës, ju keni marrë mandat në funksionimin dhe udhëheqjen e Qytetit edhe në rastin konkret”- u shpreh këshilltari i PDSH-së, Idriz Orana.
Në kohën kur vendi ynë thithë ajër të papastër dhe vërshohet, Koce Trajanovski promovon lukse të tilla, akuzojnë nga LSDM-ja.
FLUTURA LATIFI
