Maqedoni
SHBA Përkrah RMV-së në negociata, Riker: Konferenca, gjatë presidencës gjermane
29.11.2020 16:20
Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dalin në ndihmë Maqedonisë së Veriut që takimi i parë ndërqeveritar me BE-në...

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dalin në ndihmë Maqedonisë së Veriut që takimi i parë ndërqeveritar me BE-në të mbahet gjatë presidencës gjermane, deri në fund të dhjetorit.
Ndihmës sekretari shtetëror për çështje evropiane dhe euroaziatike i Stejt Departamentin amerikan, Filip Riker, në letrën drejtuar kryeministrit Zoran Zaev, shpreh indinjanën e tij dhe vendit që përfaqëson, që vendet anëtare të BE-së nuk ia dolën që të arrijnë pajtim dhe të aprovojnë kornizën negocuese me Maqedoninë e Veriut.
“Aderimi në BE mbetet një interes i ndërsjell kritik dhe ne do të vazhdojmë avokimin me partnerët tanë evropian në përkrahjen dhe mbajtjen e konferencës ndërqeveritare për Maqedoninë e Veriut gjatë presidencës gjermane.”- shkruan Riker, në letrën dërguar kryeministrit Zaev.
Riker inkurajon autoritetet vendore dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian që të vazhdojnë të kërkojnë zgjidhje për çështjet dypalëshe jashtë procesit për integrim dhe të realizojn progres në këto aspirata me hapjen dhe mbylljen e kapitujve në negociata.
“Lartë i vlerësojmë përpjekjet tuaja për t’i vazhduar bisedimet në frymën e vullnetit të mirë dhe ta ruani përkushtimin në sigurimin e një të ardhme evropiane të Maqedonisë së Veriut që vendi tregoi se e meriton”, thekson Riker, duke shtuar se Maqedonia e Veriut këtë e ka dëshmuar me arritjen e Marrëveshjes historike të Prespës dhe me Marrëveshjen për Fqinjësi të Mirë dhe Miqësi me Bullgarinë.
Borisov: Kompromisi është i mundur
Hapësirë për një kthesë pozitive gjatë dhjetorit ka lënë edhe kreu i ekzekutivit bullgar, Bojko Borisov. Në një intervistë për gazetën gjermane Frankurter Algemeine Zeitung, Borisov thotë se kompromisi është i mundur.
“Unë investoj të gjitha forcat në atë drejtim. Bëjmë gjithçka që mundemi që komisioni ynë bilateral të gjej kompromis. Çdoherë kam thënë se ardhmëria është e rëndësishme. Por, duhet të njihet edhe historia.’ –thekson Borisov.
Sipas tij, pengesat janë me rezolutën e fundit të Parlamentit Evropian për Bullgarinë, në të cilën është hapur tema për pakicën maqedonase në Bullgari, që sipas Borisovit, nuk ekziston.
“Në vend se të kemi debat pozitiv për rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut, tani imponohet një debat plotësisht i ndryshëm.”, thekson Borisov.
SHPËTIM NUREDINI
