Maqedoni
20 vjet nga thirrja e parë kundër dhunës në familje
11.11.2014 18:18
Organizata e Grave të Qytetit të Shkupit shënoi 20 vjetorin e thirrjes së parë kundër dhunës në familje...

Kjo organizatë ka bërë progres sidomos me SOS-Linjën telefonike, e cila u mundëson viktimave të dhunës në familje të paraqesin problemin e tyre me të cilin më pas merren organet kompetente.
“Çdo ditë përballemi me viktimat e dhunës në familje, jemi këtu për t’i informuar viktimat dhe për t’u dhënë kurajo që të mos heshtin, sepse vërtet nuk duhet heshtur, është koha t’i jepet fund thënies “Heshtja është flori”, sepse në të vërtet heshtja nuk është flori. Sa më i lartë të jetë zëri i grave apo i viktimave, aq më të vogla do të jenë pasojat”- deklaroi kryetarja e Organizatës së Grave në Qytetin e Shkupit, Tomka Dilevska.
Një numër i madh i viktimave e paraqesin rastin vetëm në Linjën SOS dhe nuk bëjnë denoncim në polici apo në qendra sociale.
Linja nacionale e SOS-it në Organizatën e Grave të Qytetit të Shkupit ka regjistruar mbi 2,230 raste brenda muajit.
“Evidencën të cilën e mbajmë dhe që do ta prezantojmë në vazhdim gjatë shënimit të 20 vjetorit tregon se gjatë vitit kemi shënuar 12690 mijë thirrje, kjo shifër nuk është alarmante, megjithatë dëshirojmë që numri të zvogëlohet edhe më shumë, sepse zvogëlohen edhe rastet e dhunës në vendin tonë”- tha koordinatorja e SOS-Linjës Nacionale, Nena Mileska.
Psikologja, Valdete Adili, thotë se shkaktarët kryesor të dhunës në familje janë kushtet ekonomike, problemet psikologjike, mentaliteti, shpesh ndodh që vetë dhunuesi të jetë viktimë e dhunës.
“Nga shkaqet që paraqiten, shpesh është vetë dhunuesi viktimë e dhunës, por mund të jetë edhe një faktor tjetër shumë serioz, si çrregullimi mendor, si problem paraqitet edhe mungesa e vetëbesimit apo ndonjë pengesë në zhvillimin e personalitetit. Shkaqet ekonomike dihet, sa më e varfër të jetë shoqëria, aq më shumë ka dhunë aty. Sa i përket mentalitetit, kultura jonë e përkrah. I kemi parasysh ato proverbat që i thotë populli “Ai që të do, të rreh” dhe kjo është një defekt të cilin shoqëria jonë duhet ta korrigjojë”- u shpreh psikologja, Valdete Adili.
Viktima më të shpeshta janë gratë dhe fëmijët, por nuk përjashtohen edhe burrat në kohën bashkëkohore.
Në Maqedoni çdo e pesta grua është viktimë e dhunës familjare, ndërsa çdo e dyta grua është viktimë e dhunës emocionale.
Sa u përket fëmijëve, të cilët janë viktimë e dhunës, ata ose bëhen iniciatorë të zënkave të ndryshme, ose tërhiqen dhe mbyllen në vetvete, thotë psikologja, Valdete Adili.
FARIJE DAUTI-BAKIU
