Botë

Covid 19: Evropa regjistron 400,000 viktima me koronavirus

29.11.2020 18:32

Tetë muaj prej kur ka shpërthyer pandemia, autoritetet evropiane kanë konfirmuar 400,949 viktima me koronavirus...

Tetë muaj prej kur ka shpërthyer pandemia, autoritetet evropiane kanë konfirmuar 400,949 viktima me koronavirus, bazuar në Qendrën Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve.

Pesë shtetet që kanë raportuar më së shumti vdekje janë: Mbretëria e Bashkuar, Italia, Franca, Spanja, dhe Rusia. Ndërkohë Shtetet e Bashkuara kanë prekur shifrën e 4 milionë të prekurve me koronavirus në muajin nëntor, më shumë se dyfish në krahasim me shifrat e muajit tetor.

Teksa virusi vazhdon të përhapet në Shtetet e Bashkuara, vdekjet janë duke arritur në 1,500 në baza ditore. Prej fillimit të pandemisë, autoritetet amerikane kanë regjistruar më shumë se 266,000 viktima.

Ndonëse përhapja e virusit është duke u ngadalësuar, falë kufizimeve të ashpra në Evropë, ky kontinent vazhdon të jetë në qendër të pandemisë, duke regjistruar më shumë raste sesa SHBA-ja, javën e kaluar. Gjermania ka vendosur masa të kufizimit në fillim të muajit nëntor, që kanë rezultuar me mbyllje të bareve dhe restoranteve, ndonëse shkollat dhe dyqanet kanë mbetur të hapura.

Autoritetet gjermane këtë javë kanë shtyrë masën e izolimit të pjesshëm deri më 20 dhjetor, mirëpo shteti fqinj Franca ka nisur rihapjen e pjesshme më 27 nëntor. Veprime të ngjashme janë marrë edhe në Poloni, Holandë, Mbretëri të Bashkuar, Belgjikë, disa pjesë të Italisë dhe gjithandej në Evropë, ndonëse shumë kufizime vazhdojnë të aplikohen, për shkak të shifrave shqetësuese.

Ndërkohë, në Alpet franceze, protestat janë mbajtur për mbyllje të qendrave të skijimit, restoranteve dhe bareve, gjatë sezonit dimëror. Në Lodër, policia britanike ka arrestuar mbi 150 persona, në një protestë kundër kufizimeve të lidhura me koronavirus.

Në nivel global, autoritetet shëndetësore kanë regjistruar më shumë se 61 milionë persona të infektuar me koronavirus dhe 1.4 milion viktima.Teksa vala e dytë dhe tretë godasin hapësira të mëdha në botë, shpresat tani janë përqendruar në vaksinat e reja, të zhvilluara në Perëndim, të cilat mund të nisin të prodhuari në dhjetor dhe të jenë të qasshme për publikun e gjerë në mesin e vitit 2021.

FARIJE DAUTI BAKIU