Maqedoni
Ndotje e lartë në Kumanovë, qytetarët ankohen, komuna shton kontrollet
30.11.2020 15:11
Ditëve të fundit, banorët e Kumanovës zgjohen e flenë nën erën e keqe dhe tymin që ua ndot mushkëritë....

Ditëve të fundit, banorët e Kumanovës zgjohen e flenë nën erën e keqe dhe tymin që ua ndot mushkëritë. Stacioni matës tregon nivele të larta të ndotjes. Koncentrimi i grimcave PM10, ka arritur në mbi 700 mikrogram për metër kub. Për shkak të ndotjes enorme të ajrit, qeveria ndërmori masa të veçanta për Kumanovën, Tetovën dhe Kavadarin. Rekomandohet që nga puna të lirohen të sëmurët kronikë, të mos mbahen manifestime në ambient të hapur, të përgjysmohet përdorimi i automjeteve zyrtare, të kufizohen punët ndërtimore, e t’u gjendet strehim personave të pastrehë. Ndotja e ajrit nuk është problem i ri për Kumanovën. Me vite ekologjistët alarmojnë se industria, komunikacioni, ndërtimtaria dhe ngrohja me mjete joadekuate gjatë dimrit janë arsye për shtimin e ndotjes. Qytetarët ankohen se po e ndjejnë në mushkëritë e tyre ndotjen.
“Nuk janë arsye vetëm automobilët.”,- tha një qytetar.
“Kryesisht drunjtë dhe makinat. Me vështirësi merret frymë.”,- theksoi një qytetar.
Inspektorët gjatë fundjavës kryen kontroll të jashtëzakonshëm në 7 subjekte juridike. Tre prej tyre morën urdhër të zvogëlojnë intensitetin prodhues.
“Theksi do të vihet në lejet e integruara B. U apeloj bashkëqytetarëve tanë ta marrin seriozisht këtë situatë, të mos përdorin mjete të palejuara për ngrohjen e shtëpive sepse sipas meje ky është problem kryesor, amvisëritë që djegin mjete ngrohëse të palejuara.”,- thanë nga komuna e Kumanovës.
Në qytet ka disa kohë që kryhet edhe procesi i aerosolizimit. Komuna doli edhe me një plan për uljen e ndotjes së ajrit. Një nga masat afatgjate është gazifikimi, por ndotësi kryesor, spitali i qytetit, ende ngrohet me mazut.
