Ekonomi
OEMVP dhe Ministria e Ekonomisë nënshkruan memorandum bashkëpunimi
30.11.2020 16:02
Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore do të emërojë një person i cili do të jetë urë lidhëse e bashkëpunimit me Ministrinë e Ekonomisë...

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore do të emërojë një person i cili do të jetë urë lidhëse e bashkëpunimit me Ministrinë e Ekonomisë. Ky lloj bashkëpunimi është paraparë në Memorandumin e nënshkruar mes përfaqësuesve të këtyre dy institucioneve. Kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha, theksoi se me këtë bashkëpunim OEMVP, përpos që do të përfshihet në të gjitha aktivitetet në Ministrinë e Ekonomisë, do të përpiqet për krijimin e kushteve sa më të mira për biznesin në vend.
“Një memorandum i cili do të thellojë bashkëpunimin dhe komunikimin e OEMVP-së me Ministrinë e Ekonomisë ku të gjitha informatat, ndryshimet e ligjeve dhe interesi i OEMVP-së në aspektin e përpilimeve të këtyre rregullave në drejtim të legjislacionit dhe kushteve sa më te mira për sektorin e biznesit. Ky memorandum përkufizon një bashkëpunim ku ne si odë do të delegojmë një anëtar i cili do të jetë urë lidhëse.”,- tha kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha.
“Ne kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyeshëm, por duke marrë parasysh seriozitetin e dy institucioneve përkatëse vendosëm që ta formalizojmë bashkëpunimin dhe në këtë mënyrë të ndajmë dhe të shkëmbejmë informata paraprake sa i përket krijimit të politikave të ndryshme dhe jo vetëm sa i përket krijimit të masave apo programeve të ndryshme që e tangojnë sektorin e biznesit në RMV.”,- u shpreh ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Ministri Bekteshi shtoi se propozimet dhe kërkesat nga komuniteti i biznesit në lidhje me propozimin që e diela të jetë ditë jo-pune ende janë duke u shqyrtuar dhe po bëhen analiza por se vlerësoi se në fushën e hotelierisë dhe turizmit nuk do të ketë ndryshime. Për çështjen e njejtë Hoxha dhe Bekteshi thanë se detajet do të konkreziohen gjatë javëve në vijim. Ata shtuan se do të vazhdojnë thellimin e bashkëpunimit me vetmin qëllim për të sjellë politika që do të krijojnë një klimë më të favorshme për bizneset.
ZEKIRJA MEXHITI
