Opozita: Konsensus gjithëpartiak për ndryshime
Opozita ka dorëzuar rreth 3 mijë amendamente....

Opozita ka dorëzuar rreth 3 mijë amendamente me të cilat kundërshton ndryshimet e rregullores së kuvendit. VMRO-DPMNE, ASH-Alternativa këmbëngulin se ndryshimet duhet miratuar me konsensus gjithëpartiak nëpërmjet dialogut.
“Mënyra se si duhet të ndryshohet Rregullorja që të kemi zgjidhje të qëndrueshme është konsensusi i të gjitha subjekteve politike. Nuk duhet me forcë nga se shumica parlamentare nuk mund të sigurojë kuorum për punë të ndryshohet rregullorja. Nëse duan VMRO-DPMNE është e gatshme për dialog, kjo nuk është mënyra për ta ndryshuar rregulloren.”,- tha Timço Mucunski nga VMRO-DPMNE.
“Sistemi demokratik në Maqedoninë e Veriut nuk është as afër emetimit të funksionimit perëndimorë prandaj konsiderojmë se sistemi on-line do të ishte i dështuar edhe po të ishte real. Kjo çështje duhet të parandalohet pasi që insistohet konsensus gjithëpartiak.”,- u shpreh Skender Rexhepi nga ASH-AleternAtivA.
Shumica parlamentare,bëhet fjalë vetëm për të izoluarit nga Covid-19
Por nga shumica parlamentare konsiderojnë se opozita po e bllokon funksionimin e kuvendit me dorëzimin e mijëra amendamenteve. Sipas tyre bëhet fjalë për deputetët që ndodhen në izolim apo janë të infektuar me Covid-19 që të mund të marrin pjesë në debat.
“Shumë parlamente në botë funksionojnë edhe në mënyrën e dytë apo alternative në mënyrën online edhe ne e kemi hapur si ide si një zgjidhje për shkak se nuk mund të jemi peng i opozitës dhe të bllokohet puna e parlamentit. Vetëm do të vlejë për deputetët që janë në izolim që kanë vendim nga organet kompetente shëndetësore.”,- theksoi Arben Ziberi nga BDI.
“Këtë e bëjmë me të vetmin qëllim që të funksionojë kuvendi pasi që duhet të miratojmë ligje të cilat janë në interes të qytetarëve. Gjithnjë duam përmes dialogut me opozitën, do të presim pak por nëse insistojnë është i qartë qëllimi.”,- u shpreh Dime Velkovski nga LSDM.
Ndryshimet e rregullores së kuvendit ndodhen në procedurë parlamentare pasi që deputetët me 61 vota “për” miratuan nevojën për plotësimin dhe ndryshimin e Rregullores së Kuvendit. (Naim Ramadani, TVM2)
