Ulje e shifrave Covid në Tetovë, Arifi: Situata mbetet kritike, respektoni masat
30.11.2020 17:24
Në Tetovë dhe në 5 komunat përreth, aktualisht ka 961 raste aktive me Covid-19....

Në Tetovë dhe në 5 komunat përreth, aktualisht ka 961 raste aktive me Covid-19. Në Spitalin Klinik të Tetovës ka gjithsej 45 pacientë në terapi oksigjeni, rastet me pasqyrë të mesme apo të lehtë klinike vazhdojnë të marrin terapinë e duhur shëndetësore në shtëpi, nën mbikëqyrje të mjekëve amë.
Pozitivë janë edhe dy edukatore, 14 mësues të shkollave fillore e po aq të shkollave të mesme.
Kryetarja e Tetovës, që është edhe drejtuese e shtabit të krizës, Teuta Arifi, thotë se gjendja mbetet kritike edhe pse ka rënie të shifrave. Që nga fillimi i pandemisë, në Tetovë janë regjistruar 3811 të infektuar, 2606 janë shëruar, ndërsa 151 qytetarë nuk e kanë fituar dot betejën me Covid-19.
“Gjatë javës që kaloi, numri i rasteve të reja me Covid-19 ka shënuar rënie të vogël, por gjendja epidemiologjike, edhe pse e qëndrueshme, vazhdon të mbetet kritike. Edhe në çerdhe e shkollat fillore e të mesme, kemi një reduktim të numrit të rasteve me Covid-19. Në objektet e Çerdhes “Rinia” në Tetovë kemi dy raste aktive e asnjë grup të fëmijëve në izolim. Në shkollat fillore janë 14 mësimdhënës pozitivë dhe katër grupe klasore në izolim shtëpiak. Edhe në shkollat e mesme kemi 14 mësimdhënës pozitivë dhe procesi i mësimit në distancë zhvillohet sipas planit. Gjatë javës së kaluar, sipas statistikave të SPB - Tetovë, ka pasur 493 kallëzime për kundërvajtje për mosmbajtje të maskës. Gjithashtu janë shqiptuar nga ISSHSJH 647 vendime të reja për izolim të detyrueshëm e janë kryer kontrolle ndaj 1214 personave me vendime të tilla e nuk janë konsideruar shkelje. Apelojmë që qytetarët të mbeten të përkushtuar e disiplinuar në respektimin e masave dhe protokolleve kundër Covid-19.”,- deklaroi kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi.
