Maqedoni

Dita ndërkombëtare e AIDS-it, 29 të infektuar, 6 të vdekur në një vit në RMV

01.12.2020 14:53

Dita Ndërkombëtare e AIDS-it, që shënohet më 1 dhjetor, vjen sivjet në kohën kur një pandemi krejt tjetër ka përfshirë botën.

COVID-19, që shkakton koronavirusi është duke zgjeruar pabarazitë që tashmë ekzistojnë dhe është duke kërcënuar përparimin që është bërë në shëndetësi dhe zhvillim në 20 vjetët e fundit, duke përfshirë edhe përparimin e bërë për HIV. Në vendin tonë gjatë vitit 2020, deri 30 nëntor janë regjistruar 29 infektime të reja me HIV, të grupmoshave prej 20 deri 69 vjeç. Të gjithë të infektuarit e rinj janë të gjinisë mashkullore. 
 
 
Në vitin 2020 gjithsej kanë ndërruar jetë gjashtë persona, prej të cilëve katër kanë qenë vonë të diagonstikuar, ndërsa dy kanë refuzuar të kurohen. Deri në këtë moment në Klinikën Infektive gjithsej 306 pacientë janë kyçur në sistemin shëndetësor për mbrojtje nga HIV, ndërsa 99% prej tyre marrin terapi antiretroviruse. Ky program ka paralajmëruar se pengesat që janë krijuar në shërbimet shëndetësore si pasojë e pandemisë së koronavirusit, mund të rezultojnë me 293,000 infektime me HIV dhe rreth 148,000 vdekje të lidhura me AIDS-in deri më 2022. 
 
Dita ndërkombëtare e AIDS-it, 38 milionë persona në botë, të infektuar me HIV
 
Vitin e kaluar, 12 milionë njerëz në botë që jetojnë me virusin HIV, nuk kanë pasur qasje në ilaçe. Aktualisht, më shumë se 38 milionë persona në gjithë botën janë të infektuar me HIV. Pandemia AIDS ka vrarë rreth 33 milionë persona prej kur ka shpërthyer më 1980.