Merkel: S’e dimë nëse Bullgaria dhe RMV do të merren vesh
Gjermania po përballet me vështirësi në sigurimin e mbajtjes së konferencës....

Gjermania po përballet me vështirësi në sigurimin e mbajtjes së konferencës ndërqeveritare të BE-së me Maqedoninë e Veriut.
Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se nuk dinë nëse do të ketë kohë që kjo të ndodhë deri në fund të presidencës gjermane të BE-së.
“Ne i kemi kushtuar vëmendje të madhe Ballkanit Perëndimor. Procesi i Berlinit ka provuar të jetë një iniciativë e mirë që jep rezultate. Por, kemi vështirësi në mundësimin e një konference ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut. Shqipëria ka bërë një përparim të madh, por në rastin e Maqedonisë së Veriut çështja është nëse do të kemi sukses në kohë, sepse ka nevojë për bisedime midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, siç e dinë të gjithë”, tha Merkel në një fjalim në video konferencën e djeshme me eurodeputetët.
Takimi i ardhshëm i Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së do të mbahet më 7 dhjetor, kur do të duhet të merret vendimi mbi fillimin e bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Në takimin paraprak ministror, Bullgaria vuri veto për kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut, meqë vendet e tjera anëtare nuk ranë dakord që kërkesat e Sofjes të përfshiheshin në kornizë.
