VMRO–DPMNE proteston me bllokim të rrugëve
VMRO-DPMNE opozitare vazhdon edhe sot me protesta dhe me bllokim rrugësh në shenjë pakënaqësie...

VMRO-DPMNE opozitare vazhdon edhe sot me protesta dhe me bllokim rrugësh në shenjë pakënaqësie dhe revolte lidhur me, siç thonë, bisedimet e fshehta që i bën pushteti me Bullgarinë në dëm të Maqedonisë së Veriut. Protesta e sotme është paraparë të fillojë para Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të përfundojë para Qeverisë.
Në vazhdën e protestave nga VMRO-DPMNE kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit, Zoran Zaev, zëvendëskryeministrit për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov, dhe shefit të diplomacisë së RMV-së, Bujar Osmani. Kërkesën e bazojnë në dyshimet për negociata të zhvilluara me palën bullgare gjatë fundjavës. Nga Qeveria ndërkohë nuk deshën të japin hollësi se çfarë bisedohet, këmbëngulin se ardhmëria europiane është receta e vetme për parandalimin e tendencave të politikës retrograde mes vendeve të Ballkanit e ndërtimit të një ardhmërie prosperuese.
