Botë

Britani, aprovohen vaksinat e “Fajzer” dhe “Biontek”

02.12.2020 11:41

Qeveria britanike pranoi rekomandimin e Agjencisë për Ilaçe dhe Produkte Shëndetësore dhe miratoi përdorimin e vaksinës “Fajzer” dhe “Biontek”....

Qeveria britanike pranoi rekomandimin e Agjencisë për Ilaçe dhe Produkte Shëndetësore dhe miratoi përdorimin e vaksinës “Fajzer” dhe “Biontek”. Vaksinimi pritet të nis javën e ardhshme, deklaroi ministri britanik i Shëndetësisë, Met Henkok. Ai ka paralajmëruar se do të vaksinohet LIVE në TV. Mbretëria e Bashkuar është vendi i parë në botë që miratoi përdorimin e kësaj vaksinën. Siç bëhet e ditur, 800 mijë doza janë gati për të nisur procesin javën që vjen, ndërsa janë porositur 40 milionë doza, të mjaftueshme për të vaksinuar 20 milionë njerëz, në dy faza. 

 
Edhe Italia ka gati planin për vaksinimin e popullsisë. Ministri italian i Shëndetësisë, Roberto Speranza, prezantoi në dy dhomat e parlamentit italian planin organizativ të vaksinimit të popullsisë. Vaksina anti-Covid në Itali do të shpërndahet nga shteti dhe do të jetë falas për të gjithë. Ashtu si në Britani edhe në Itali vaksina e parë që do të përdoret është “Fajzer” dhe “Biontek”, e cila pritet të arrijë në periudhën prej 23 deri më 26 janar 2021, kur do të arrijnë 3.4 milionë doza, të cilat do të vihen në dispozicion për 1.7 milionë persona. Ndërsa brenda tremujorit të parë të vitit 2021 në Itali janë parashikuar të arrijnë 202 milionë doza të vaksinave anti-Covid. Vaksina pritet më 29 dhjetor 2020 të marrë edhe autorizimin nga Agjencia Europiane e Barnave EMA. 
 
Edhe FDA-ja amerikane po shqyrton kërkesën e kompanisë “Fajzer” për autorizim. Ndërsa autorizim ka kërkuar edhe kompania amerikane Moderna. Universiteti i Oksfordit në bashkëpunim me AstraZenecan kanë zhvilluar një vaksinë. Rusia ka përdorur një tjetër vaksinë, të quajtur Sputnik, dhe ushtria kineze ka miratuar një tjetër të bërë nga Kansino Biollogik. Ndërkohë Organizata Ndërkombëtare e Policisë INTERPOL, paralajmëron se rrjetet e organizuara kriminale mund të synojnë shitjen e vaksinave false anti Kovid. Derisa bëhen përpjekje për të siguruar vaksinën numri i të prekurve nga Kovid 19 në mbarë botën ka shkuar në mbi 64 milionë njerëz. Deri tani kanë humbur jetën një milion e 481 mijë e 869 persona, ndërsa mbi 44 milion janë shëruar. 
 
GYLTENE SINANI