Maqedoni
Kontesti maqedono–bullgar, Azizi: Ndërhyrja amerikane lehtëson zgjidhjen
02.12.2020 14:21
8 dhjetori, data e mbledhjes së Këshillit të Ministrave në Komisionin Europian...

8 dhjetori, data e mbledhjes së Këshillit të Ministrave në Komisionin Europian, nga opinionistët e vendit shikohet si fije shprese në zhbllokimin e rrugëtimit integrues të Maqedonisë së Veriut kundrejt vetos bullgare. Në emisionin debativ “Argument” në TVM2 opinionisti, Berat Azizi, thotë se kompromisi më lehtë do të arrihej me ndërhyrjen amerikane, ndërkaq e shikon si të panevojshëm emërimin e ish kryeministrit, Vllado Buçkovskit, si i dërguar special në zgjidhjen e kontestit.
“Është shumë e vështirë që një lehtësues, apo një i dërguar special të arrijë kompromisin për një marrëveshje kaq të madhe, historike, kur dihet se lehtësuesi midis palës greke dhe maqedonase ka qenë mbi 20 vite, mirëpo sërish është dashur të ndërhyjë faktori ndërkombëtarë. Unë mendoj se pa një ndërhyrje të SHBA-ve, është shumë e vështirë të arrihet një kompromis.”,- deklaroi opinionisti, Berat Azizi.
Miftari: Ndërhyrja e politikës zvarrit zgjidhjen
Por historiani, Naser Miftari, konsideron se ndërhyrja e politikës ka stërzgjatur gjetjen e zgjidhjes. Sipas tij, zgjidhja duhet të lihet në duart e Komisionit të Historianëve.
“Duke i parë rrethanat le të kenë kujdes të gjithë ata që marrin vendime, qofshin vendorët, rajonalët por edhe evropianët, sepse sikur mos të ishin përzier deri në atë shkallë të vendimmarrjeve të tyre ku do të bazohej në shkencë e jo në politikë do të ishin zgjidhur shumë më herët çështjet në Ballkan.”,- tha historiani, Naser Miftari.
Selimi: Historianët të debatojnë mosmarrëveshjet
Për opinionistin, Sefer Selimi, faj mbartin edhe historianët pasiv në zbardhjen e fakteve historike ashtu siç janë dhe heshtja e tyre mund të paraqitet si pengesë në të ardhmen.
“Është çështje që nuk janë të sigurt në faktet të cilat i posedojnë me përgatitjen e tyre profesionale, është çështje që kanë frikë se do të shihen dhe dinë diçka të cilën ne nuk e dimë dhe kanë frikë të na thonë? Por, të gjitha këto sjellin që historia e cila nuk është ajo reale dhe futet në tepi, të na kthehet pastaj fytyrës në momentet më të rëndësishme për perspektivën tonë.”,- theksoi opinionisti, Sefer Selimi.
Opinionistët kërkojnë që në debatin e Komisionit të Historianëve maqedono-bullgar të reflektojnë edhe historianët shqiptarë me qasjen historike të shqiptarëve për periudhat kontestuese si dhe ndryshimin e librave shkollor.
MERAL ISMAILI
