Maqedoni
Angellov: Nuk ka nevojë për aktivizim të spitalit privat
02.12.2020 14:58
Në qendrat Kovid në spitalet në vend po trajtohen gjithsej 1256 pacientë pozitivë ose të dyshuar ndaj Kovid 19.....

Në qendrat Kovid në spitalet në vend po trajtohen gjithsej 1256 pacientë pozitivë ose të dyshuar ndaj Kovid 19. Gjatë 24 orëve të kaluara, në qendrat e Kovidit në Shkup janë hospitalizuar 30 pacientë, ndërsa gjithsej në Kovid qendrat e kryeqendrës po trajtohen 452 persona, bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë. Pas Shkupit, numrin më të madh të personave që janë në trajtim spitalor e ka Prilepi, me 123 pacientë, pason Kumanova me 110, Ohri - 95 pacientë, Manastiri - 80, në Spitalin në Shtip dhe Strumisë - 62 pacientë, në Veles - 54, në Gostivar - 52, në Tetovë - 46, në Strugë - 30, Kërçovë - 20 dhe në Koçan dhe Gjevgjeli nga 15 pacientë. Autoritetet shëndetësore njoftojnë se në spitalet e vendit ka edhe 180 krevate të lira. Gjendja shëndetësore në vend është stabile dhe për momentin kemi mjaftueshëm krevate të lira, thonë nga Qendra për Menaxhim me Kriza, prej ku vlerësojnë se për momentin nuk ka nevojë për aktivizimit e spitali privat, që ka kapacitet prej 100 shtretërve për pacientë me Covid-19.
“Institucionet e Shëndetit Publik që janë në funksion të Kovid-qendrave për momentin kanë në dispozicion numër të mjaftueshëm të shtretërve dhe për momentin nuk kemi nevojë të patjetërsueshme për akomodim në objektin e vjetër të Sistinës. Ka mundësi që të paraqitet nevoja për aktivizim të këtij spitali, në këtë rast Shtabi Kryesor do të marrë vendim të menjëhershëm. Për momentin Shtabi pret kërkesë nga Ministria e Shëndetësisë për formalizim të bashkëpunimit me institucionet private shëndetësore.”,- tha drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Stojançe Angellov.
Filipçe: Po përgatitemi për vaksinën anti-Kovid
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ka deklaruar se sistemi shëndetësor në vend po përgatitet për vaksinën anti-Kovid. Kjo do të jetë një nga operacionet më të mëdha logjistike që duhet ta realizojmë.
“Vaksinën do ta realizojnë mjekë dhe infermierë të cilët për momentin nuk punojnë me Kovid pacientë. Pjesën e pranimit, ruajtjen e vaksinës, distribuimin deri te vendi ku do të aplikohet, plani është në fazë përfundimtare, por gjatë javës së ardhshme do të organizojmë edhe një trajnim në teren se si kjo do të duket.”,- tha Filipçe.
Po ashtu theksoi se është rekomanduar që të parët të vaksinohen punëtorët shëndetësorë, të punësuarit në Armatë dhe polici, të sëmurët kritikë dhe të gjitha grupet e rrezikuara sipas mendimit të ekspertëve.
REJHANE BUSHI METAJ
