Maqedoni
VMRO-DPMNE, protesta kundër bisedimeve me Bullgarinë
02.12.2020 17:13
Partia opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE, ka vazhduar me protestat në të cilat po kërkon dorëheqjen...

Partia opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE, ka vazhduar me protestat në të cilat po kërkon dorëheqjen e kryeministrit, Zoran Zaev, dhe formimin e një Qeverie të ekspertëve, e cila sipas kësaj partie do ta nxjerrë vendin nga kriza që e ka kapluar vendin si në shëndetësi, ekonomi apo politikë.
Sipas Vllado Misajlovskit, sot aktivistët e VMRO-DPMNE-së po protestojnë paralelisht në 15 qytete të ndryshe. Ai tha se do të vazhdojnë protestat deri sa të bëhet publike ajo që po bisedohet mes Maqedonisë dhe Bullgarisë rreth historisë dhe identitetit të maqedonasve.
“Kjo betejë quhet Maqedonia, kjo pas nesh është Ministria e Punëve të Jashtme e cila duhet t’i mbrojë interesat e maqedonasve, por ato po vazhdojnë të fshihen dhe nuk kanë përgjigje për identitetin maqedonas, për historinë maqedonase. Po e shihni edhe ju se e gjithë Qeveria është mbyllur dhe po fshihen, dhe nuk japin përgjigje, sepse i është lënë në duar që gjithçka të shesë Zoran Zaev.”,- tha deputeti i VMRO-DPMNE-së, Vllado Misajlovski.
Nga VMRO-DPMNE-ja po ashtu kundërshtuan edhe idenë që Vllado Buçkovski ta përfaqësojë Maqedoninë në bisedimet me Bullgarinë, pasi të njëjtin e quajtën “profiter ushtarak”.
“Dyshja, Buqkovski dhe Zaev, profiteri ushtarak dhe krimineli i aboluar, do të duhet që t’i mbrojnë interesat e Maqedonisë. Prandaj ju themi dorëheqje për këtë Qeveri anti kombëtare, dorëheqje për të gjitha tradhtitë që janë bërë dhe që po planifikohen të bëhen. I pyes publikisht se vallë kush ju ka dhënë të drejtën që ju t’i mbroni interesat e Maqedonisë, dhe ta ndani Maqedoninë.”,- theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Ivan Jordanov.
Gjatë protestës në Shkup protestuesit bllokuan udhëkryqet para Ministrisë së Punëve të Jashtme, si dhe bulevardin para Qeverisë.
FITIM KRYEZIU
