Maqedoni

Tërmet në Shkup, sizmologët: Lëvizje normale sizmike, pa rrezik

02.12.2020 17:31

Në orën 14 e 9 minuta, aparatet e Institutit Sizmologjik kanë regjistruar tërmet në epiqendrën e Shkupit...

Magnituda e tërmetit ka qenë me intensitet prej 3.5 sipas shkallës së Rihterit dhe më fuqishëm është ndjerë nga qytetarët e Shkupit me intensitet prej 4 deri në 5 gradë sipas shkallës makro-sizmike evropiane.
 
Përveç shqetësimit të qytetarëve nga tërmeti dhe zhurma që e shoqëroi të njëjtin, dëme materiale nuk ka, thanë nga observatori sizmologjik. Sipas tyre, territori i RVM-së karakterizohet nga një aktivitet sizmologjik i caktuar dhe tërmete të tilla janë paraqitje normale. 
 
“Intensiteti i tërmetit ishte 3.5  sipas shkallës së Rihterit, ndërsa nga qytetarët e Shkupit u ndje me një intensitet prej 4 deri në 5 gradë sipas shkallës makro-sizmike evropiane. Përveç shqetësimit te qytetarët, dëme materiale nuk ka.”,- tha një sizmologe.
 
Brenda një muaji jo të plotë vendin tonë e dridhën disa tërmete, por nga observatori sizmologjik thonë se është normale dhe nuk ka hapësirë për panik. Pas tërmetit të orës 14 kishte edhe një tërmet por me intensitet më të vogël. 
 
SANIJE DURAKU