Botë

Bashkimi Evropian, strategji të re për raportet me ShBA-të

02.12.2020 19:10

Komisioni Evropian ka miratuar në takimin e kolegjit të Komisionarëve...

Komisioni Evropian ka miratuar në takimin e kolegjit të Komisionarëve, një strategji për agjendën e re të raporteve transatlantike, përkatësisht raporteve BE-SHBA.

Komisioni, në këtë dokument, nënvizon nevojën për bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara për të forcuar rendin multilateral botëror dhe për t’u përballur së bashku me sfidat e reja, nga përhapja e koronavirusit e deri tek forcimi i mbrojtjes dhe sigurisë.

Në këtë agjendë strategjike të Komisionit Evropian përmendet edhe nevoja që BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të vazhdojnë bashkëveprimin edhe në Ballkanin Perëndimor, sidomos në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. “Evropa i ka dhënë Ballkanit Perëndimor perspektivë të anëtarësimit në BE.

Vazhdimi i partneritetit mes BE-së dhe SHBA-së dhe koordinimi i afërt në Ballkanin Perëndimor është thelbësor, posaçërisht në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës.

Ne, duhet të punojmë së bashku për të mbështetur pajtimin, përmirësojmë qeverisjen dhe të shtyjmë përpara reformat kyçe”, thuhet në tekstin e strategjisë së Komisionit Evropian për raportet mes BE-së dhe Shteteve të Bashkuara. Bashkimi Evropian planifikon që të mbajë një samit mes BE-së dhe Shteteve të Bashkuara në pjesën e parë të vitit 2021.