Botë

Kovid-19, Bota shpresat te vaksina anti-Kovid

04.12.2020 14:35

Evropa po përpiqet që të nis sa më shpejt që të jetë e mundur procesin e vaksinimit...

Evropa po përpiqet që të nis sa më shpejt që të jetë e mundur procesin e vaksinimit, ndërsa ka siguruar deri më tani më shumë se një miliardë doza, të vaksinës. Britania javën e ardhshme e para nis vaksinimin. Franca ka paralajmëruar se në janar do të nisë vaksinimin në shtëpitë e të moshuarve dhe punonjësit më të rrezikuar nga COVID 19.  Portugalia do të ndjekë kritere të ngjashme, duke nisur me 400.000 qytetarë të kategorive më të ndjeshme. Autoritetet synojnë të vaksinojnë rreth një milion njerëz mes muajve janar- prill.
 
Presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden, ka paralajmëruar se do ta merrte publikisht vaksinën kundër virusit korona për të inkurajuar opinionin, duke iu bashkuar kështu iniciativës së ish-presidentëve amerikanë Barack Obama, George W. Bush dhe Bill Clinton, të cilët kohët e fundit u zotuan ta bënin një gjë të tillë. Vaksinat mund të bëhen të disponueshme brenda javëve dhe muajve të ardhshëm, thotë sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, por ai paralajmëron se një vaksinë nuk mund të zhbëjë dëmtimet që do të shtrihen në vite, madje edhe dekada të ardhshme. 
 
Duke folur në sesionin e KB-së kushtuar pandemisë së Kovid-19, presidenti Stevo Pendarovski tha se pandemia si rreziku më i madh i njerzimit kërkon përgjigje sistematike.
 
“Pandemia me Kovid 19 edhe më tej paraqet rrezikun më të madh të njerëzimit, familjet humbën të afërmit, ndërsa bashkësitë janë dëmtuar seriozisht. Kriza shëndetësore  bart edhe në sferat tjera në shoqëritë tona, me ç’rast ekonomive tona u është shkaktuar dëm i madh. Me dimensionin e sajë shëndetësor, ekonomik, social, humanitar dhe të sigurisë pandemia i testoi vendet tona në formë të pa parë dhe na kujtoi se sa jemi të lidhur mes vete.”,- theksoi presidenti i RMV-së, Stevo Pendarovski. 
 
Rusia ka paralajmëruar se do të nis vaksinimin masiv me vaksinën e saj “Sputnik V” më 5 dhjetor. Vaksina ruse Sputnik V, ka arritur edhe në Beograd, me të cilën Serbia do të vaksinojë popullatën e saj kundër Covidit-19. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç i ka deklaruar se vaksina do të jetë falas për të gjithë qytetarët që duan ta pranojnë atë.
 
Edhe qeveria greke prezantoi planin e vaksinimit të qytetarëve. Zëdhënësi i qeverisë, tha se “vaksinimi do të jetë vullnetar dhe falas”. Kompania “Fajzer” /“Biontek” ka bërë të ditur se parashikon prodhimin e 50 milionë dozave të vaksinës anti COVID për këtë vit. Kjo vaksinë është paraparë të injektohet me dy doza, që do të thotë se 50 milionë doza janë të mjaftueshme për të vaksinuar 25 milionë njerëz. Ndërsa kompania “Modern”a ka paralajmëruar  se do të prodhoj 125 milion doza në tremujorin e parë të vitit 2021, prej të cilave 85 deri në 100 milion doza për SHBA-të dhe 15 deri në 25 milion për shtetet tjera.


GYLTENE SINANI