Maqedoni

Lidhja e Shoqatave të Pensionistëve: Të kemi përparësi për vaksinën anti-Kovid

04.12.2020 15:00

Numri i të infektuarve në vend nga virusi Korona vazhdon të mbetet mbi 21 mijë persona...

Numri i të infektuarve në vend nga virusi Korona vazhdon të mbetet mbi 21 mijë persona, ndërsa është i lartë edhe numri i pacientëve që kanë nevojë për trajtim spitalor. Gjatë 24 orëve të fundit në qendrat e Kovidit në Shkup janë hospitalizuar 43 pacientë të rinj për shkak të komplikimeve me virusin Korona, ndërsa gjithsej 443 persona të dyshimtë dhe të konfirmuar me Kovid-19 trajtohen në repartet infektive në kryeqytet, bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë. Në 24 orët e fundit, në klinikat interne ka pasur gjithsej 21 pranime. Në qendrën Kovid në Spitalin “8 Shtatori” ka pasur 13 pranime të reja të pacientëve, ndërsa në Klinikën Infektive janë pranuar 14 të sëmurë të rinj gjatë ditës së djeshme. Numri më i madh i tyre janë në mbështetje të oksigjenit. 
 
 
Ndërkohë, Lidhja e Shoqatave të Pensionistëve bën thirrje që pensionistët të kenë përparësi gjatë vaksinimit kundër Covid-19, si kategoria më e cenueshme e personave me sëmundje kronike dhe imunitet të zvogëluar. 
 
“Në emër të mbi 300.000 personave të moshuar në vendin tonë, ne bëjmë thirrje që pensionistët të kenë përparësi gjatë vaksinimit kundër Covid-19, siç është rasti në të gjitha vendet fqinje dhe nëpër botë”,- thuhet në kumtesën e sotme të Lidhjes së Shoqatave të Pensionistëve, pas paralajmërimit nga ministri i shëndetësisë se vendi po bën përgatitjet për fillimin e vaksinimit anti Kovid.


REJHANE BUSHI METAJ