Maqedoni

Protestat e duhanxhinjve, Hoxha: Mendojmë për tejkalimin e problemit

04.12.2020 15:20

Blerja e duhanit po zhvillohet me dinamikë shumë të dobët këtë vit, por kjo është për shkak të krizës me Covid-19...

Blerja e duhanit po zhvillohet me dinamikë shumë të dobët këtë vit, por kjo është për shkak të krizës me Covid-19 dhe kushteve të motit. Këtë e theksoi ministri i bujqësisë, Arjanit Hoxha, gjatë takimit me prodhuesit e duhanit të cilët protestojnë në shenjë revolte për çmimin e ulët të blerësve të duhanit. Pavarësisht kësaj, Hoxha iu premtoi prodhuesve të duhanit se është i gatshëm të dalë edhe në terren për të vëzhguar situatën por edhe për të zgjidhur problemin.
 
“Është e vërtetë se në nivel shtetëror po paraqitet një problematikë sa i takon çështjes së blerjes së duhanit. Mendoj që nuk ka nevojë për panik dhe shqetësim. Situatën jemi duke e vëzhguar, ua thashë dhe Asociacionit të Prodhuesve se jam i gatshëm që të marr pjesë në punktet e blerjes ku paraqitet problem dhe nëse ata vlerësojnë se i bën padrejtësi ndonjë nga blerësit, lirisht mund ta bllokojnë punktin dhe unë si ministër do të shkoj në vendin e ngjarjes për ta parë realitetin e vlerësimit të duhanit.”,- tha ministri i bujqësisë, Arjanit Hoxha.
 
Derisa prodhuesit ankohen për vlerësim të dobët nga ana blerësve, këta të fundit fajësojnë prodhuesit se duhanin e përziejnë me cilësi më të ulët, ministri Hoxha nuk përjashtoi mundësinë që të eliminohet në treg klasa e katërt e duhanit, me çka do të rritej çmimi mesatar blerës i duhanit.
 
“Unë e ceka edhe në takim, por e them dhe publikisht se së bashku me ekipin tim jemi duke shqyrtuar mundësinë që të heqim nga lista klasin e katërt dhe të mos ekzistojë si i tillë dhe në kuadër të asaj të mundohemi që përmes heqjes së saj të ndihmojmë prodhuesit të tre klasave të vlerësuar të rritet edhe çmimi mesatar.”,- u shpreh ministri i bujqësisë, Arjanit Hoxha.
 
Në shenjë pakënaqësie, paraditen e kësaj të premte protestuan edhe duhanxhinjtë nga Gradashorci në Strumicë. U ankuan se në vit, çmimet e duhanit të kualitetit të lartë, gjegjësisht duhani i klasës së tretë, shitet për 150 denarë për kg. Në total, gjithsej deri më tani në të gjitha punktet janë blerë 260 ton duhan.
 
ZEKIRJA MEXHITI