Maqedoni
David Geer për çeljen e negociatave: Çështja jo nëse, por kur saktësisht nisin?!
04.12.2020 15:47
Ambasadori i BE-së në Shkup, David Geer, është i bindur se nuk ka dilemë për çeljen e negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në...

Ambasadori i BE-së në Shkup, David Geer, është i bindur se nuk ka dilemë për çeljen e negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në, por me atë se kur saktësisht do të ndodhë. Ai thotë se vendimi historik i 27 vendeve anëtare të BE-së në mars të këtij viti është në fuqi, teksa hapi i radhës është që të përcaktohet korniza negociuese dhe mbi bazën e saj të fillojë konferenca ndërqeveritare. Sipas tij, vendi duhet përkushtuar në implementimin e reformave dhe dialogun me Bullgarinë, si pjesë e detyrimit për fqinjësi të mirë.
“Në mars të këtij viti, 27 vendet anëtare njëzëri miratuan vendim historik për të hapur negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe ky vendim është në fuqi. E kuptoj mosdurimin që të vazhdohet më shpejtë, por derisa procesi në Bruksel vazhdon, fillimisht me rëndësi është që të vazhdohet me reformat e procesit eurointegrues, pasi që kjo më shpejt do t’ju shpie në BE teksa është me interes për qytetarët. Së dyti, të vazhdohet dialogu me Bullgarinë, si pjesë e detyrimit për fqinjësi të mirë. Çështja nuk është nëse do të hapen negociatat me Maqedoninë e Veriut, por kur saktësisht.”,- tha ambasadori i BE-së, David Geer.
Për të ecur përpara nevojitet pajtim i të gjitha 27 vendeve anëtare, si e drejtë sovrane e tyre, thotë Geer. Nëse vendi është gatshëm për anëtarësim, Geer dha përgjigje:
“Kur e shohim legjislaturën, vendosjen e rregullave dhe standardet juridike të BE-së, përparimipërafërsisht është i mirë. Por, në mënyrë të njëjtë ndoshta edhe më e rëndësishme është që jo vetëm të merren dhe adaptohen ligjet, por të implementohen. Implementimi është kyç, vetëm kështu mund të përparohet.”,- tha ambasadori i BE-së, David Geer.
Sipas Geerit, shpejtësia e reformave në vend përshpejton edhe procesin e integrimit. Ai shtoi se BE ka dëshmuar se mbështet Maqedoninë e Veriut së fundmi edhe me krizën që ka shkaktuar COVID-19 edhe atë nëpërmjet mekanizmave që janë në dispozicion vetëm për vendet anëtare.
NAIM RAMADANI
