Spasovski: Mbetemi të përkushtuar në rrugën evropiane

04.12.2020 16:19

Gjuha maqedonase dhe identiteti maqedonas....

Gjuha maqedonase dhe identiteti maqedonas janë diçka për të cilën askush nuk ka të drejtë të bisedojë në asnjë moment, për këtë nuk mund të bisedohet, thotë ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

Në negociatat me Bullgarinë, Spasovski tha se Qeveria po bën përpjekje që në bazë parimore të arrihet kompromis në lidhje me çështjet e hapura.

“Ne mbetemi të përkushtuar në rrugën tonë evropiane, do të bëjmë gjithçka që t’i plotësojmë këto aspirata evropiane. Si Qeveri treguam gjatë viteve të kaluara se dimë të zgjidhim çështje, të mbyllim çështje të vështira, dimë t’i hapim perspektivat për qytetarët, megjithatë kjo duhet të jetë në bazë parimore, me respektimin e ndërsjellë, pajtimin e ndërsjellë dhe këto janë parime në të cilat duhet të punojmë edhe më tej.”,- deklaroi Oliver Spasovski nga MPB.

VMRO-DPMNE: Zaev po ndryshon historinë dhe identitetin

Por, për VMRO-DPMNE-në, Zaev dhe rrethi i tij i ngushtë vazhdojnë të bisedojnë me Bullgarinë, tema të cilat kanë për qëllim shitjen e historisë dhe identitetit maqedonas.

“Mbrëmë Zaevi potencoi se do të bëjë ndryshimin e librave të historisë që nga viti 2021, hap ky i cili na tregon se do të kemi libra me histori të re, sipas dëshirave të bullgarëve. Kryeministri në ikje, Zaev, me ndryshimin e historisë po ndryshon edhe identitetin e maqedonasve. Me këtë, Zaev edhe oficialisht po fillon ta realizojë atë që e potencoi edhe në intervistën e turpshme, nga e cila u distancua nga gjithçka që ka të bëjë me Maqedoninë, dhe po bënë një freskim historisë. Tradhtari Zaev e shiti ASNOM-in, e shiti Ilindenin por edhe Goce Delçevin. Tani është koha që të gjithë qytetarët të vetëdijesohen dhe të vendosim nëse do ta kundërshtojnë këtë dhe do të mbrojnë identitetin maqedonas apo të jenë bashkëpunëtorë në fshirjen e historisë, të tashmes dhe të ardhmes maqedonase. Zaev, me faktin se pranoi t’i ndryshojë librat e historisë në përputhje me kërkesat bullgare dhe heqjen dorë nga heronjtë kombëtarë, do të mbajë përgjegjësi për tradhti kombëtare.",- thonë nga VMRO-DPMNE.

Ambasada e Holandës në Shkup: RMV, e gatshme të nis bisedimet me BE-në

Ndërkohë, gazeta bullgare “24 orë” shkruan se Danimarka dhe Holanda janë dy vendet që mbështetën veton bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut. Por, Ambasada holandeze e demanton një lajm të tillë.

“Holanda ka vlerësuar dhe ende vlerëson se Maqedonia e Veriut ka arritur përparim të mirë dhe konferenca ndërqeveritare mund të mbahet sapo të miratohet korniza e bisedimeve”,- thuhet në reagimin e Ambasadës holandeze në Shkup. (Fitim Kryeziu, TVM2)