Tearcë, fermë me sistem të lirë të mbajtjes së lopëve

05.12.2020 15:13

Ferma të sistemit të lire të mbajtjes së lopëve janë e ardhmja e blegtorisë...

Ferma të sistemit të lire të mbajtjes së lopëve janë e ardhmja e blegtorisë, pasi që të njejtat janë më profitabile. Me këtë sistem reduktohet numri i fuqisë punëtore, kurse nga ana tjetër rritet efikasiteti i prodhimit për tre herë më shumë se te fermat me sistem të mbyllur të lopëve.

Kohës së fundit një investim të tillë në fshatin Nerashtë është bërë nga Fatir Ahmeti, i cili thekson se për dy vite presin që në këtë fermë të kenë 80 lopë, të cilat do të prodhojnë 700 litër qumësht në ditë.

Një nismë e tillë, Ahmeti thotë se ka ardhur si pasojë e mungesës së fuqisë punëtore, pasi gjeneratat e reja sa më shumë po i ikin bujqësisë dhe blegtorisë.

“Modelet e shtalleve të mbyllura, të titpit të lidhur janë shumë të rënda për ti menaxhuar, shpenzimet janë më të mëdha dhe fuqi punëtore më shumë. Kjo do të thotë se ai model i kafshëve të lidhura është shumë i rëndë për tu mirëmbajtur, ndërsa përfitimet janë shumë më të vogla, kurse shpenzimet shumë më të larta. Dhe kjo na shtyri që të ndërmarrim iniciativë për të filluar projektimin të një farme të stilit të lirë” – tha bujku Fatir Ahmeti.

Në këtë fermë ushqyerja e lopëve do të bëhet me mikser, i cili për 24 orë do të jep sasinë e nevojshme të ushqimit që u duhet kafshëve. GJithashtu sistemi i mjeljes së lopëve është automatik, i cili garanton edhe qumësht të cilësisë më të lartë.

“Këtu në vendin që e shohim është pjesa e mjeljes së lopëve me pesë njësi njëkohësisht. Është sistemi i mbyllur i mjeljes. Kualiteti i qumështit këtu është i garantuar për kualitet të lartë, e cila i plotëson standardet e kërkuara me të gjitha parametrat” – u shpreh bujku Ahmeti.

Ahmeti informon se pandemia nuk ka pasur ndikim të madh së sferën e tij, pasi qumështi kërkohet për çdo ditë nga kompanitë prodhuese. Madje ai nënvizoi se gradualisht po rritet kërkesa për prodhim të qumështit në treg.  (Ersan Pajaziti, TVM2)