Bisedimet Shkup-Sofje, Zaev sheh zgjidhjen pas zgjedhjeve në Bullgari

05.12.2020 16:48

Qëndrime kundërthënëse dhe parashikime....

Qëndrime kundërthënëse dhe parashikime të ndryshme për epilogun e bisedimeve mes Shkupit dhe Sofjes. Kakofoni mes palëve të ndryshme si brenda vendeve përkatëse ashtu edhe në planin bilateral.

Kryeministri i vendit Zoran Zaev, dyshon që zgjidhja mund të arrihet brenda këtij muaji. Është në pritje të përfundimit të zgjedhjeve në Bullgari, të cilat janë të parapara për në mars, në mënyrë që politikanët bullgar të gjykojnë pa qenë nën presionin e zgjedhjeve, në drejtim të tërheqjes së vetos bullgare që RMV-ja të fillojë negociatat me BE-në.

“Nuk duhet të befasohemi, duhet të jenmëi të përgatitur që kjo çështje mund të shtyhet. Bullgaria kishte mirëkuptim kur ishin zgjedhjet në RMV, ka zgjedhje edhe Bullgari. Nuk them se kjo është aryeja por nuk është njësoj si kur je para zgjedhjeve si pas zgjedhjeve. Duhet të japim shanse pasi jemi fqinj, jemi miq, dhe ka potenciale të madhe për avacimin e bashkëpunimit të ndërsjellë. Të gjithë duhet ta dijnë se gjuha maqedonase dhe identiteti nuk janë në tryezën e bisedimeve” – tha Kryeministri Zoran Zaev.

Mickovski: Zaev gënjen

Mirëpo, kreu i opozitës maqedonase Hristijan Mickovski, në protestën para qeverisë, i  cilësoi si të pavërteta deklarimet e kryeministrit Zaev.

Sipas tij, Zaev ka tregtuar me historinë dhe identitetin e Maqedonisë.

“Sot, sërish gënjen kur thotë se nuk po negocon për identitetin, gjuhën dhe historinë, ndërsa komisionet e historisë e demantojnë dhe konfirmojnë të kundërtën. Gënjen edhe kur thotë se ka avancim në bisedime. Gënjen paturpësisht.” – u shpreh Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.

Karakaçanov: S’kemi vënë veto, por kritere

Përplasje edhe në palën bullgare. Përderisa Sofja zyrtare insiston që kriteret e saj të vendosen në kornizën negocuese, një grup intelektualësh bullgarë i bëjnë thirrje qeverisë atje që të mos pengojë çeljen e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut.   

Përkatësisht, zëv/kryeministri bullgar, Krasimir Karakaçanov, në një intevistë për Radion 77, theksoi se Bullgaria nuk ka vënë veto por ka vënë kritere për përcaktimin e kornizës negocuese.

“Ne prisnim që dispozitat e Marrëveshjes së 2017-tës të realizoheshin, por kjo nuk ndodhi dhe Maqedonia e Veriut e zvariste zbatimin e tyre.” - deklaroi Karakaçanov. Ndërkaq, një grup intelektualësh bullgarë i kanë bërë thirrje qeverisë së Bullgarisë që menjëherë të jep pëlqimin për fillimin e negociateve të BE-së me RMV-në.  

Sipas tyre është e papranueshme që të kontestohet kombi dhe gjuha maqedonase, por edhe e papërshtatshme që njëra palë të bëjë vetvrasje politike. (Shpëtim Nuredini, TVM2)