Botë
Kovid-19, në ShBA brenda 5 ditësh një milion të infektuar
06.12.2020 13:26
Numri i të infektuarve nga Kovid-19 në botë po i afrohet 67 milion njerëzve...

Në SHBA ditëve të fundit kanë regjistruar shifra të larta të personave të infektuarve me Covid-19. Në vetëm pesë ditët e para në muajit dhjetor janë regjistruar mbi një milion raste të infektuar me Kovid-19.
Që nga fillimi i pandemisë në SHBA janë regjistruar mbi 14 milion e gjysmë të infektuar. Vdekjet në azilet e pleqve po rriten përsëri në Evropë. Të paktën 5,000 "të moshuar në azile" kanë vdekur në Francë gjatë muajit të kaluar, ndërsa Portugalia ka dërguar njësi ushtarake në shtëpitë e pleqve për të udhëzuar stafin se si të kryejnë siç duhet dezinfektimet.
Italia nga frika e rritjes së numrit të personave të infektuar ka apeluar që të respektohen masat anti Kovid gjatë festave të fundvitit. Derisa kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka deklaruar se Gjermania ka shpenzuar mbi 8 për qind të prodhimit kombëtar për të ndihmuar bizneset dhe qytetarët të kalojnë pasojat e mbylljes nga pandemia, por financat e shtetit nuk mund të vazhdojnë gjatë ndihmën.
Britania që në javën e ardhshme mund të fillojë vaksinimi kundër COVID-19 . Deri atëherë pritet të arrijnë rreth 800 mijë doza vaksine të Biontech dhe Pfizer. Dhjetëra miliona doza të vaksinës kundër COVID-19 të prodhuara në Belgjikë do të transportohen në Britani me avionë ushtarakë për të shmangur vonesat në portet e shkaktuara nga Brexiti, sipas planeve të paparashikuara që po zhvillohen nga qeveria britanike, raporton The Guardian.
Ndërkohë edhe Kina, prej ku mendohet se e ka origjinën virusi Korona, po përgatitet të fillojë një fushatë të gjerë vaksinimi. Qeveritë provinciale në të gjithë vendin po bëjnë kërkesat për vaksinat eksperimentale të koronavirusit, të prodhuara në vend, megjithëse zyrtarët shëndetësorë ende nuk kanë thënë se sa të efektshme janë vaksinat dhe se si do të mund të shpërndahen tek 1.4 miliardë banorët e Kinës.
Njoftohet se më shumë se një milion punonjës kinezë të kujdesit shëndetësor kanë marrë tashmë vaksinën eksperimentale të autorizuar për përdorim emergjent, por nuk ka pasur tregues për efekte të mundshme anësore.
REJHANE BUSHI METAJ
