Maqedoni

Kumanovë, qytetarët ankohen për ajrin e ndotur

06.12.2020 16:03

Gjatë muajve të dimrit, qyteti i Kumanovës zakonisht radhitet ndër qytetet...

Gjatë muajve të dimrit, qyteti i Kumanovës zakonisht radhitet ndër qytetet me ajër më të ndotur në vend. Kjo si pasojë e djegies së gjësendeve të ndryshme për ngrohje. 
 
Ndotja e ajrit sidomos vërehet gjatë pasdites dhe orëve të mbrëmjes kur edhe bien temperaturat. Por, gjithsesi në ndotjen e ajrit ndikojnë edhe numër i madh i automjeteve, të cilat nuk i plotësojnë standardet evropiane për mosndotjen e ajrit.
 
Eljasa Mahmudi - imam i Xhamisë së re në Lagjes së Trimave në Kumanovë, i cili është një shëtitës i pasionuar më këmbë nëpër ajër të pastër, thotë se kanë kaluar ditët kur ke mundur të dalësh në ajër të pastër. Në Kumanovë, thotë ai, ajri i ndotur të ngulfat çdo ditë e më tepër.                 
 
“Shoqëria jonë po ballafaqohet edhe me ndotjen e ajrit, që është po ashtu një problem i madh, tani mbajtja e maskës po është më e nevojshme për t’u mbrojtur nga ajri i ndotur se sa nga virusi. Si qytetar i Kumanovës dhe si predikues islam do t’i kisha apeluar popullatës që të kenë kujdes në pastërtinë e tyre, në mbajtjen e higjienës, të kenë kujdes në hedhjen e plehrave, pasi që feja jonë na porosit për pastërti në shtëpitë tona, oborret, rrugët tona me një fjalë pastërtia dhe ruajtja e ambientit është prej besimit.”,- u shpreh për TVM2 qytetari i Kumanovës, Eljasa Mahmudi.                                                                      
Doktor Zekirja Shahini - specializant në Pulmologji dhe Alergologji, për TVM2 thotë se ajrin e ndotur të cilin po e thithim, po na dëmton mushkëritë dhe po na pengon në frymëmarrje, por gjithsesi mund të lejë edhe pasoja të tjera. 
                                                                           
“Njëri nga shkaktarët i cili e dëmton organizmin e njeriut, konkretisht dëmton mushkëritë e njeriut, është ndotja e ajrit, që fatkeqësisht në vendin tonë ndotja e ajrit është shumë e madhe, e duke e ditur se mushkëritë janë organet që më së shumti pësojnë nga ndotja e ajrit dhe duke pasur parasysh se në këtë kohë vjeshte mjegulla është ajo që rëndon frymëmarrjen nga ajri i lagësht ku brenda saj kemi edhe grimca nga ndotja e ajrit, andaj u kisha apeluar pacientëve me sëmundje polmunare, kronike dhe astmatike që t’i shmangin daljet në natyrë, në vende publike, e të fokusohen më tepër në qëndrimin në shtëpi dhe të marrin terapitë që i përdorin.”,- tha ndër tjerash specializanti në pulmologji dhe alergologji i dr. Zekirja Shahini.
 
Nga komuna e Kumanovës thonë se po bëjnë të pamundurën që ta luftojnë këtë fenomen.
 
“Inspektorët tanë vazhdimisht janë terren. Poqese qytetarët, në këtë periudhë kanë çfarëdo qoftë vërejtje, munden të paraqiten tek ne, që të mundemi menjëherë të intervenojmë. Unë do të apeloja tek të gjithë qytetarët që këtë gjendje ta kuptojnë tejet seriozisht, të mos shfrytëzojnë gjësende të palejueshme për ngrohje, sepse sipas meje ky është problemi kryesor. Ne nuk mundemi të hyjmë shtëpi e më shtëpi të kontrollojmë veç e veç, por tashmë është e ditur se deri te ndotja e ajrit po vjen për shkak të djegies së gjësendeve të ndryshme për ngrohje.”,- deklaroi Boban Bojkovski – inspektor pranë komunës së Kumanovës. 
 
Ndryshe, nga komuna e Kumanovës paralajmëruan se edhe këtë vit do të bëjnë aerosolizimin e rrugëve të qytetit me qëllim të uljes së ndotjes së ajrit.
 
FATLUM AQIFI