Maqedoni

Kontesti RMV-Bullgari, rritet doza e optimizmit që Bullgaria të heq veton

06.12.2020 17:06

Dy ditë para mbledhjes së Këshillit të Europës, nga kryeministri i vendit, Zoran Zaev...

Dy ditë para mbledhjes së Këshillit të Europës, nga kryeministri i vendit, Zoran Zaev, por edhe nga pala bullgare vijnë sinjale pozitive se megjithatë në moment të fundit mund të vijë deri tek ndonjë zgjidhje eventuale që do të evitonte veton bullgare për fillimin e bisedimeve.
 
Edhe autoritetet në vend por edhe ato bullgare thirren në marrëveshjen për fqinjësi të mirë mes të dyja vendeve, ku po kërkohet marrëveshja. Gazeta bullgare “24 orë” shkruan se Bullgaria do ta lejojë RMV-në që t’i fillojë bisedimet për anëtarësim, por duke marrë garanci të fuqishme diplomatike, se këtë proces në çdo kohë do të mund ta ndërpresë, nëse nuk gjendet zgjidhje.
 
Sipas kësaj gazete, fytyra eminente të politikës europiane tanimë kanë propozuar një marrëveshje që t’i garantohet Bullgarisë një mundësi për bllokim të rrugën europiane të Maqedonisë së Veriut në çdo kohë, por edhe i jepet mundësia Shkupit zyrtar që mos ta humb mundësinë për fillimin e bisedimeve. 
 
“Bullgaria do të ketë mundësi të vendos veto në çdo kohë, ndërsa RMV për 10 ditë t’i fillojë tani bisedimet për anëtarësim me BE-në. Kjo marrëveshje mund të arrihet nëse të gjitha dilemat theksohen në të.”,- thekson gazeta bullgare duke u thirrur në burime të brendshme nga BE. 
 
Edhe ish diplomatë bullgarë kanë potencuar në disa raste se po kërkohen kanale të komunikimit dhe intensivisht po diskutohet për temat aktuale. Ndërsa Qeveria e Maqedonisë së Veriut e cilësoi si konstruktiv paraqitjen e ministrit të mbrojtjes të Bullgarisë, Krasimir Karakacanov, ku ai nuk e kishte problem ta pranojë faktin se ekziston populli maqedonas dhe gjuha maqedonase.
 
Optimist është shprehur edhe lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në një prononcim për Kanal 5 ka shfaqur shpresë se Bullgaria do të ofrojë zgjidhje. Sipas liderit të integristëve, nëse Ballkani futet në temat historike do të duhet të ndërtohet një Ballkan i ri. 
 
FITIM KRYEZIU