Maqedoni

Boçvarski dhe Batak: Virusi Korona dëmtoi edhe aviacionin

06.12.2020 17:51

Virusi Korona ka shkaktuar pasoja të rënda në sektorin e aviacionit...

Kështu vlerëson ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski, i cili paralajmëron kthimin e linjave të lira ajrore, të cilat u ndërprenë për shkak të krizës me Kovid-19, përkatësisht pasi të hapen kufijtë.
 
“Punojmë në sferën e kthimit të linjave ajrore, por kjo nuk është çështje e njëanshme, kjo është çështje që ka të bëjë me marrëdhënie dypalëshe mes dy vendeve. Prandaj ashtu si do të hapen kufijtë dhe do të lehtësohen protokollet, si dhe punëtorët shëndetësorë në dy vende do të kenë rrethana lehtësuese lidhur me Kovid krizën, ne ashtu do ta ndjekim atë proces dhe do t’i kthejmë linjat ajrore.”,- tha ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski.
 
Ministri tha se për vitin 2021 janë paraparë 69,5 milionë denarë për subvencionimet e linjave të lira ajrore. 
 
“Aviacioni në nivel global po përjeton krizë të madhe.”,- u shpreh drejtori i TAV, Metin Batak.
 
Këto prononcime u bënë me rastin e vendosjes së linjës së re ajrore të drejtpërdrejtë midis Shkupit dhe Kievit. Njëherit u paralajmërua se këtë muaj sërish do të rivendoset fluturimi midis Shkupit dhe Abu Dabit përmes Vizzer, që është pjesë e programit për fluturime të subvencionuara.
 
SANIJE DURAKU