Botë

Covid 19, mbi 67 milion të infektuar në të gjithë botën

07.12.2020 13:00

Rastet e virusit korona në mbarë botën kanë tejkaluar pragun prej 67 milionë...

Rastet e virusit korona në mbarë botën kanë tejkaluar pragun prej 67 milionë, sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins.Në të gjithë botën, janë regjistruar 67 073 749 infeksione dhe 1 536 072 viktima.
 
Në SHBA vetëm të dielën në spitale janë shtruar 101 487 persona, ndërkohë që u regjistruan edhe 1138 vdekje të reja. Autoritetet nw Kaliforni, urdhëruan qëndrimin në shtëpi për rreth 85% të 40 milionë banorëve, teksa kapacitetet e kujdesit intensiv në spitale po zvogëlohen. Më herët, hyri në fuqi një bllokim lokal në San Francisko, që u ndoq edhe nga zonat e tjera.
 
Numri i viktimave në Greqi ka shkuar në 3003 me 101 humbje jete përsëri në 24 orët e fundit. Rreth një e treta e vdekjeve janë regjistruar në qytetin e Selanikut. 
 
Gjatë 24 orëve të fundit, Turqia regjistroi 30.402 raste të reja pozitive duke përfshirë 6.093 raste simptomatike. Aktualisht atje ka 5.805 pacientë në gjendje të rëndë. Studimet për vaksinën kundër COVID-19 të prodhuar në Turqi janë planifikuar të hyjnë në fazën e dytë pas 15 dhjetorit. Vaksina ERUCOV-VAC është duke u zhvilluar në Universitetin Erciyes me mbështetjen e Instituteve të Administrimit të Shëndetit të Turqisë. 
 
Britania ka porositur 40 milionë doza, që mendohet se është e mjaftueshme për të vaksinuar 20 milionë njerëz në të gjithë vendin. Brenda javës së parë pritet të jenë në dispozicion rreth 800 mijë doza të vaksinës, 10 milionë të tjera do të jenë të disponueshme menjëherë pas kësaj dhe 50 spitale po përgatiten për fillimin e procesit të vaksinimit.
 
Situata e vështirë ka nxjerrë në pah edhe disa nga vendimet më të vështira që mjekët duhet të marrin gjatë përballimit të situatës. Në Pakistan, sipas BBC, shtatë persona kanë humbur jetën pasi furnizimet me oksigjen kishin mbaruar. Rreth 200 persona ishin me oksigjen të reduktuar. Ka nisur një hetim për të gjetur shkakun që solli mungesën e oksigjenit e për pasojë edhe humbjen e jetëve të njerëzve.

GAZMEND KURTISHI