Ekonomi
Investuesit italianë, pak të interesuar për Maqedoninë
12.11.2014 15:13
Maqedonia nuk është vend atraktiv për kompanitë italiane, që të zgjojë interesim për të investuar në vendin tonë krahasuar me vendet e tjera të rajonit...

Maqedonia nuk është vend atraktiv për kompanitë italiane, që të zgjojë interesim për të investuar në vendin tonë krahasuar me vendet e tjera të rajonit, si Shqipërinë, Malin e Zi dhe Kroacinë, ku investimi i kompanive italiane është më i theksuar.
Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë thonë se mungesa e infrastrukturës rrugore, hekurudhore, tregu i dobët dhe pasiguria që mbizotëron në vend janë shkaqet kryesore pse kompanitë italiane nuk marrin guximin që të investojnë në Maqedoni.
Por, përfundimi i korridorit tetë pritet të sjellë edhe zhvillim më të madh ekonomik në të ardhmen, pasi kompanitë e të dyja vendeve do ta kenë më të lehtë të bëjnë transportin e mallrave.
“Fuqia e investimeve të kompanive italiane në Maqedoni nuk është në nivelin e duhur për shkak të korridorit tetë, i cili paraqet pengesë kryesore, sepse ekziston infrastrukturë e parregulluar mirë dhe kjo shkakton pengesë për kompanitë dhe për shkak të kësaj shpesh destinacioni i investimeve të kompanive italiane është Shqipëria, e cila për momentin ka infrastrukturë më të rregulluar dhe qasje më të lehtë tek kompanitë”- deklaroi drejtoresha për tregti dhe bashkëpunim ndërkombëtar, Natasha Dimçeska Stojanoska.
“Mundësitë për bashkëpunim ekonomik mes dy vendeve sillen në rreth 1.5 miliardë dollarë, numër që tregon se seriozisht duhet të punohet që të arrihet rezultat në drejtim të rritjes së këmbimit të mallrave në fushën e produkteve ushqimore”- tha ambasadori i Italisë në Maqedoni, Ernesto Masimo Beleli.
Ambasadori italian, Beleli, paralajmëroi tre investime të reja, që do të jenë nga fusha e bujqësisë dhe e sektorit të informatikës dhe teknologjisë.
Njëkohësisht ai i bëri thirrje kompanive të Maqedonisë që të marrin pjesë në programin EHPO 2015, që do të mbahet vitin e ardhshëm në Milano, ku do të marrin pjesë përfaqësues të 150 vendeve të botës.
VALBON BEXHETI
