Maqedoni
Kontesti RMV-Bullgari, bllokohet fillimi i bisedimeve
08.12.2020 10:55
Për shkak të insistimit të Bullgarisë në veton e saj, zgjerimi i BE-së me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë...

Për shkak të insistimit të Bullgarisë në veton e saj, zgjerimi i BE-së me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, nuk do të vendoset në rend dite në mbledhjen e nesërme të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme në Bruksel.
E vetmja mundësi për tu hapur kjo temë nëse eventualisht ndryshon diçka në çastet e fundit, mbetet mundësia për tu diskutuar në kuadër të pikës së fundit “të ndryshme”, njofton Insajderi.
Një burim i lartë diplomatik i BE-së, ju ka thënë gazetarëve mëngjesin e sotëm se bllokada bullgare për shkak të kontestit bilateral me Maqedoninë e Veriut e frustron të gjithë Bashkimin Evropian.
“Presidenca gjermane është frustuar që nuk ishte e mundur të bëhej zhvillim në kornizën e negociatave me Maqedoninë e Veriut. Ne bëmë gjithçka që mundëm, duke përfshirë edhe lehtësimin e një kompromisi midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ne nuk jemi të kënaqur që Bullgaria i bllokoi bisedimet e pranimit për shkak të çështjeve bilaterale me Maqedoninë e Veriut, prandaj vendet anëtare besojnë se nuk mund të përparohet as me Shqipërinë.”, thone nga Brukseli.
Përparim nuk pritet as deri në fund të presidencës gjermane, ndërsa liderët e BE-së të enjten dhe të premten në Bruksel “nuk do të kenë kohë të merren me zgjerimin” sepse agjenda është “tashmë e plotë”. Zgjerimi i BE-së me Ballkanin Perëndimor deri në fund të vitit ishte një shpresë për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, por edhe një mundësi për tu regjistruar si e arritur e presidencës gjermane me Bashkimin Evropian, por sipas të gjitha gjasave një gjë e tillë nuk do të ndodhë deri më 31 dhjetor.
