Maqedoni
Shpjegim “ndryshe” për sëmundjet e varshmërisë
12.11.2014 15:18
Dukuritë negative çdo ditë e më tepër janë të pranishme në shoqërinë tonë....

Viktimë e këtyre dukurive zakonisht janë adoleshentët, të cilët duke mos gjetur rrugëzgjidhje dhe duke mos u dalë në krye problemeve të përditshmërisë, shpesh devijojnë.
Duhani, alkooli dhe droga radhiten në listën e dukurive të cilat llogariten si anomali e shoqërisë, të cilat jo vetëm që mund të shkaktojnë pasoja të renda në shëndetin e njeriut, por atë mund ta çojnë edhe drejt vdekjes.
Prandaj, si masë preventive janë të domosdoshme bisedat dhe këshillat e shpeshta të kompetentëve me këtë grupmoshë, me qëllim të parandalimit të përdorimit të substancave të tilla.
Shumica e gjimnazistëve të anketuar thonë se temat e këtilla duhen trajtuar më shpesh, sepse janë të rëndësishme për të mos devijuar.
“Edhe për drogën kemi pasur disa ligjërata të shkurta jo më shumë se 15-20 min në vitin e parë, në ato 15 min 20 na kanë treguar se çfarë pasoja mund të kemi prej saj”- u shpreh një nxënës.
“Droga, alkooli dhe duhani ndikojnë negativisht te secili individ, sidomos droga dhe alkooli. Kemi pasur ligjërata, por kanë qenë shumë të pakta dhe besoj që nuk kanë arritur të ndikojnë aq shumë tek nxënësit”- tha një nxënëse.
Psikologja, Engjëllushe Limani, thotë se temat për sëmundjet e varshmërisë në vendin tonë akoma janë tabu dhe shumë pak flitet edhe pse shkollat i kanë të parapara në plan-programet e tyre.
Sipas saj, shkollat kanë të drejtë të reagojnë në rast dyshimi, por assesi nuk kanë të drejtë ligjore dhe as mundësi që të bëjmë testimin e nxënësve dhe të konkludojnë nëse të njëjtit janë përdorues të substancave narkotike.
“Një teme e tillë për diskutim është e paraparë edhe në plan-programet e orëve të kujdestarisë, është paraparë në lëndën e psikologjisë, e cila fatkeqësisht tani nuk i përfshin të gjitha drejtimet në gjimnaz dhe shumë pak nxënës e dëgjojnë psikologjinë, që është për t’u shqetësuar, po ashtu ka lëndë apostafat të cilat në plan-programin e tyre i përfshijnë edhe substancat narkotike dhe vazhdimisht me nxënësit diskutohet rreth këtyre temave. Shkollat kanë të drejtë të reagojnë në rast dyshimi, por assesi nuk kanë të drejtë ligjore dhe as mundësi që të bëjmë testimin e nxënësve dhe të konkludojnë nëse të njëjtit janë përdorues të substancave narkotike”- tha psikologja e Shkollës “Zef Lush Marku”, Engjëllushe Limani.
Nga Shëndeti Publik thonë se fushatat e ndryshme kundër përdorimit të substancave narkotike arrijnë efekte pozitive, por me një kujdes të theksuar, që gjatë përdorimit të masave preventive dhe këshillave të mos e lëndojnë personalitetin e nxënësit.
“Alkooli, droga dhe cigarja janë substanca të cilat te kjo grupmoshë ndikojnë, ku ata mund t’i çojnë deri tek ndryshimi i sjelljes, ndjenjave dhe t’u përkeqësohet gjendja shëndetësore, andaj duhet t’u tregojmë të gjithë atyre që veç më kanë filluar t’i përdorin këto substanca të rrezikshme, për pasojat e mëdha që mund t’i sjellin shëndetit. Këto masa preventive kanë për qëllim parandalimin që në fillim, ndërsa të ndikojnë tek ata që kanë filluar të përdorin substance të tilla”- deklaroi drejtoresha e Shtëpisë së Shëndetit-Shkup, Tatjana Baevska Vuçkoviq.
Edhe MPB-ja dhe Ministria e Shëndetësisë vazhdojnë me masat parandaluese dhe edukative për grupmoshat e reja, që kanë për qëllim shmangien e konsumimit të substancave të dëmshme.
Përdorimi i substancave të këtilla mund të ketë impakt substancial për shëndetin e të rinjve, e sidomos atë psikologjik, prandaj pjesëmarrja e tyre nën ndikimin e substancave të tilla në komunikacion do të ishte me shumë pasoja.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
