Strugë, qytetarët ankohen për problemet me ujin e pijshëm, paralajmërojnë protesta

08.12.2020 15:07

Prej disa ditësh në disa pjesë të qytetit të Strugës...

Prej disa ditësh në disa pjesë të qytetit të Strugës ka mungesë të ujit të pijshëm prej orës 22 deri në orën 5 të mëngjesit. Qytetarët ankohen se në kohë pandemie autoritetet lokale i kanë lënë pa furnizim të ujit.

Ata thonë se përveç se që në mbrëmje nuk ka fare ujë, edhe gjatë ditës presioni i ujit është shumë i ulët. Gjithashtu qytetarët thonë se në disa pjesë të qytetit uji është i ndotur dhe blejnë ujë për pije.

“Kemi probleme me ujin, jemi përreth Drinit a ujë nuk kemi, veçanërisht në mbrëmje. Zakonisht e lëshojmë lavatriçen në mbrëmje që të kursejmë rrymë, por kot, nuk kemi ujë. Që nga ora 22 deri në mëngjes nuk ka ujë, gjithashtu kanë thënë se uji është i ndotur. Mbushim edhe blejmë. Mbushim në lumë që i lajmë shkallët, a ndryshe blejmë për të pirë, gjellën që e bëjmë, enët që i lajmë.”,- deklaroi një qytetar.

“Me ujin ka probleme, më së shumti ka verës. Reshje nuk ka, uji gati është në fund. Prej më 22 deri në 5 në mëngjes nuk ka ujë, në orën 6 vjen uji normal.”,- u shpreh një qytetar.

“Nuk kemi probleme të mëdha që të mos mund të funksionojmë, sepse jemi në qendër dhe jetojmë në katin e dytë të ndërtesës, nuk është si me të tjerët, tek katet më të larta shtypja është më e ulët, ndërsa në mbrëmje nuk ka.”,- tha një qytetar.

Autoritet lokale kanë lajmëruar se ky problem është shfaqur për shkak se burimet nuk kanë ujë. Nga faqja zyrtare e Ujësjellësit dhe kanalizimit në Strugë kanë dalë me një qëndrim, duke thënë se reshjet e shiut kanë mbushur burimet dhe së shpejti problemi do të zgjidhet.

“Ju njoftojmë se falë reshjeve të shiut ditëve të fundit burimet tashmë kanë filluar të mbushen me ujë dhe situata do të përmirësohet shumë shpejt. Kjo bën të mundur zgjidhjen e problemit me mungesën e ujit në Komunën e Strugës.”,- thanë nga N. P. “Ujësjellësi dhe kanalizimet” – Strugë.

Nga ujësjellësi në Strugë gjithashtu apelojnë qytetarët që të mos keqpërdorin ujin, me qëllim zgjidhjen e problemit. Ndërkohë, qytetarët kanë paralajmëruar protesta masive të shtunën para objektit të ujësjellësit. (Ilmije Zhaku, TVM2)