Botë

Stuhia e dëborës zë në befasi SHBA-të e Kanada–në

12.11.2014 15:21

Zona të Kanadasë dhe disa rajone në perëndim të Shteteve të Bashkuara u goditën nga një stuhi e ftohtë, shoqëruar me reshje të forta dëbore...

Temperaturat pësuan rënie deri në 22 gradë celsius brenda pak ditëve, si pasojë e masave ajrore të ftohta të shkaktuara nga një stuhi e fortë që goditi Alaskën më herët.
 
Dëbora arriti në 30 centimetër në disa rajone të Uiskonsin, Minesotas dhe Miçiganit, ndërkohë që në aeroportin e Mineapolisit u anuluan 150 fluturime.
 
Në Miçiganin e Sipërm dëbora i ka zënë pa përgatitur autoritetet, duke shkaktuar probleme në qarkullim, ndërsa në Minesota policia njoftoi për dy të vdekur nga një aksident rrugor i shkaktuar si pasojë e ngricave në rrugë. 
 
Sipas meteorologëve, temperaturat kanë zbritur ndjeshëm nën mesataren sezonale, ndërsa parashikojnë që në ditët në vijim masat e ftohta të ajrit të zhvendosen më në lindje. 
 
Si në Kanada ashtu edhe në SHBA, autoritetet thonë se stuhia ka qenë e papritur pas një tetori që regjistroi temperaturat më të larta prej vitesh.
 
ERSAN PAJAZITI