LSDM: VMRO po bllokon Kuvendin në kohë pandemie
Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë...

Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë ka akuzuar partinë opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE-në, se në kohë pandemie po bllokon punën e Kuvendit me mijëra amendamente.
Bllokimi i punës së kuvendit, sipas deputetit të LSDM-së Nenad Kociq, po shkon drejtpërdrejt në dëm të qytetarëve.
“VMRO-DPMNE-ja ka dorëzuar 3000 amendamente të cilat janë të pakuptueshme dhe absurde, dhe po e pengon sjelljen e rregullores së punës në Kuvend. VMRO-DPMNE me 500 amendamente po e bllokon edhe sjelljen e Ligjit për Mbrojtje Shëndetësore, ndërsa me 500 amendamente po bllokon edhe ndryshimet e Ligjit për Punë të Brendshme. VMRO-DPMNE, përveç bllokimit të Kuvendit, po shkel edhe udhëzimet për mosmbajtjen e tubimeve, të cilën po e bën me protestat. Kjo flet më së miri se sa VMRO-DPMNE merakoset për shëndetin e qytetarëve.”,- deklaroi deputeti i LSDM-së, Nenad Kociq.
VMRO-DPMNE: LSDM dhe Filipçe po i dëmtojnë qytetarët
Por, në këto akuza kanë reaguar nga VMRO-DPMNE, të cilët potencojnë se nëse dikush është duke punuar në dëm të qytetarëve, është pikërisht LSDM dhe ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, pasi, sipas tyre, përveç që janë varfëruar qytetarët gjatë kësaj kohe, është shkatërruar edhe sistemi shëndetësor.
“Kur bëhet fjalë për sjellje të papërgjegjshme në dëm të qytetarëve, ministri i infeksionit, Venko Filipçe, dhe ministria e tij, jo vetëm që shkatërruan sistemin shëndetësor, por mungesës së moralit të tij i atribuohen edhe këto 1949 vdekje nga pandemia. Mijëra shtëpi dhe familje me vdekje nga KOVID-19 janë një mundësi për të parë se si kjo qeveri sillet "me përgjegjësi". Ne kemi numrin më të madh të të vdekurve dhe të infektuarve në rajon për faj të LSDM-së. Zaev dhe kjo qeveri i kanë futur qytetarët në një gropë politike, shëndetësore dhe ekonomike. Në vend të politikave reale dhe thelbësore, ai sjell politika ditore në dëm të njerëzve.”,- thonë nga VMRO-DPMNE.
VMRO-DPMNE-ja po ashtu thekson se premtimet parazgjedhore të LSDM-së mbetën të varura në ajrin e ndotur, për të cilin asgjë nuk është bërë dhe se qytetarët marrin frymë dhe jetojnë në vdekje. (Fitim Kryeziu, TVM2)
